Forumi i Paqes në Pejë do të mirëpresë në edicionin e dytë të tij Tina Ramirez, themeluese dhe presidente e Hardwired Global, një ndër zërat më me ndikim në fushën e të drejtave të njeriut dhe lirive fetare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ramirez, e cila vjen nga Richmond, Virginia (SHBA), është një eksperte e njohur e politikës së jashtme amerikane dhe të drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, me përvojë shumëvjeçare në mbrojtjen e lirive themelore dhe pluralizmit kulturor në mbarë botën. Në karrierën e saj, ajo ka shërbyer si këshilltare politike në Komisionin Amerikan për Liritë Fetare Ndërkombëtare dhe si këshilltare e politikës së jashtme për Kongresin Amerikan, ku themeloi Grupin Ndërkombëtar Dypartiak të Lirive Fetare. Po ashtu, Ramirez ka qenë Drejtoreshë e Marrëdhënieve Qeveritare dhe Programeve Ndërkombëtare në organizatën prestigjioze Becket Law. Ajo ka punuar në mbi 30 shtete të botës, ka dëshmuar para Kongresit të SHBA-së dhe Kombeve të Bashkuara, dhe është autore e disa botimeve akademike, përfshirë “Journal of Social Science Education”. Në vitin 2012, u vlerësua me Çmimin Humanitar “Ahmadiyya”, për kontributin e saj në mbrojtjen e komuniteteve myslimane në nivel global. Ekspertiza e saj në fushën e arsimit dhe pluralizmit është paraqitur edhe në serialin televiziv të PBS, të nominuar për çmimin Emmy, “The Good Road”, ku shfaqet puna e saj me komunitetet që janë prekur nga dhuna dhe ekstremizmi, duke promovuar tolerancë, respekt dhe bashkëjetesë ndërfetare. Organizatorët e Forumit të Paqes në Pejë kanë shprehur mirënjohje për pranimin e ftesës nga Znj. Ramirez, duke e cilësuar pjesëmarrjen e saj si “një kontribut të jashtëzakonshëm për paqen globale dhe një nder të veçantë për Pejën dhe Kosovën.” Punimet e Forumit të Paqes në Pejë do të mbahen më 5 nëntor 2025, dhe të interesuarit mund të regjistrohen për pjesëmarrje në linkun zyrtar: www.pejapeaceforum.org /Telegrafi/