Totaj: Prizreni po bëhet gjithnjë e më i gjelbër – përuruam parkun e ri pas atij të Ortakollit

Në vazhdën e projekteve për gjelbërimin dhe krijimin e hapësirave të reja publike, sot në Prizren u përurua një tjetër park komunitar që do t’i shërbejë banorëve të lagjes "Lakuriq", veçanërisht fëmijëve dhe të moshuarve. Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se zhvillimi i një qyteti të gjelbër dhe të shëndetshëm ka qenë ndër prioritetet kryesore të qeverisjes lokale. “Prizreni i gjelbër dhe shtimi i parqeve të reja në lagjet e qytetit ka qenë prioritet i yni që nga fillimi i mandatit. Sot jemi të lumtur që përuruam një tjetër hapësirë komunitare pas Ortakollit, që do t’iu shërbejë banorëve, në veçanti fëmijëve dhe të moshuarve", u shpreh Totaj. Ai theksoi se projektet për parqe e hapësira rekreative do të vazhdojnë edhe më me intensitet gjatë mandatit të ardhshëm. “Do të vazhdojmë investimet në parqet e reja me intensitet të shtuar në mandatin e ri, sepse qytetarët e Prizrenit meritojnë një ambient më të pastër, më të gjelbër dhe më të bukur për të jetuar", shtoi kryetari Totaj. Kjo hapësirë e re pritet të shërbejë si vend i përshtatshëm për rekreacion, socializim dhe zhvillim të jetës komunitare, duke i dhënë qytetit edhe një vlerë të shtuar mjedisore dhe estetike. /Telegrafi/