Etnik Brruti ishte hero i Malishevës në xhiron e fundit të Superligës së Kosovës, duke udhëhequr skuadrën drejt një fitoreje të madhe në udhëtim ndaj Dukagjinit me rezultatin 1-2. Mesfushori i Kombëtares U21 të Shqipërisë zhvilloi paraqitjen më spektakolare të javës, duke realizuar të dy golat për skuadrën e tij dhe duke konfirmuar formën e shkëlqyer që po kalon. 21-vjeçari ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Malishevës këtë sezon, ku ka arritur të regjistrojë tre gola dhe tre asistime, duke u bërë një prej motorëve kryesorë të skuadrës në mesfushë. Me lojën e tij inteligjente, qetësinë në posedim dhe aftësinë për të ndikuar në fazën ofensive, ai ka rikthyer nivelin që e kishte karakterizuar para disa muajsh. Në një prononcim për Telegrafin, Brruti u shpreh i kënaqur me formën aktuale, por theksoi se synon të japë edhe më shumë në vazhdim. “Jam i kënaqur me formën time aktuale, por e di që gjithmonë mund të bëj më shumë. Do të vazhdoj të punoj fort në çdo stërvitje dhe ndeshje që të paraqitem sa më mirë dhe të ndihmoj skuadrën në çdo aspekt", tha Brruti për Telegrafin. Ai shtoi se përveç performancës personale, prioritet mbeten sukseset kolektive. “Objektivat e mi janë të jap maksimumin në çdo ndeshje dhe stërvitje, ndërsa me klubin synojmë të kualifikohemi në garat evropiane për herë të tretë radhazi, që do të ishte një arritje e jashtëzakonshme për të gjithë ne", vazhdoi tutje mesfushori kaçanikas i Malishevës. Edhe gjatë verës Brruti kishte oferta të shumta, por ai mbeti te Malisheva së paku edhe për një sezon. Duke marrë parasysh formën e shkëlqyer që po kalon, Brruti duket se po kalon muajt e fundit në futbollin kosovar dhe vet ai e konfirmon se do të largohet. “Po besoj se ky do të jetë viti im i fundit në futbollin kosovar. Dua ta mbyll sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme dhe më pas të shoh mundësitë që më presin në karrierë", përfundoi Brruti. /Telegrafi/