Edhe pse Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka shpallur hapjen e sezonit të gjuetisë në nivel vendi, Komuna e Drenasit nuk është përfshirë në listën e vendgjuetive të aprovuara për këtë vit. Sipas njoftimit të komunës, kjo situatë lidhet me një proces gjyqësor që është ende në zhvillim ndërmjet Komunës së Drenasit dhe Ministrisë së Bujqësisë, ku komuna është palë paditëse, përcjell Telegrafi. “Gjykata e shkallës së parë ka aprovuar kërkesëpadinë e Komunës së Drenasit, mirëpo për shkak se çështja aktualisht ndodhet në Gjykatën e Apelit, ankesa e paraqitur pengon që aktgjykimi të marrë formën e prerë”, thuhet në njoftim. Për pasojë, Ministria ka marrë vendim që zona e Drenasit të mos përfshihet përkohësisht në vendgjuetiet e hapura. Komuna ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve dhe të shoqatave të gjuetarëve, duke apeluar për respektim të vendimit në fuqi deri në përfundimin e procedurave gjyqësore. / Telegrafi /