Në episodin më të ri të Përballje Podcast në Telegrafi.com, është diskutuar Strategjia për Drejtësi Tranzicionale, dokumenti dhjetëvjeçar që synon të vendos themelet e drejtësisë dhe ballafaqimit me të kaluarën në Kosovë. Të ftuar në këtë podcat ishin Baki Svirca, udhëheqës i Divizionit për Drejtësi Tranzicionale në Ministrinë e Drejtësisë, dhe Mehmet Musaj, Menaxher i Lartë në KRCT ( Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës). Katër shtyllat e drejtësisë tranzicionale Sipas Svircës, drejtësia tranzicionale është proces shoqëror që ndihmon një vend të përballet me të kaluarën dhe të ndërtojë të ardhmen mbi bazën e së vërtetës. “Drejtësia tranzicionale nuk ka të bëjë me hakmarrje, por me reformim shoqëror. Katër shtyllat kryesore janë: e drejta për të vërtetën, qasja në drejtësi, reparacionet për viktimat dhe reformat institucionale për të parandaluar përsëritjen e së kaluarës,” tha ai. Ai shtoi se kjo strategji është e ndërtuar përmes një procesi të gjerë konsultimesh me qytetarë, komunitete dhe organizata të shoqërisë civile. - YouTube www.youtube.com “Strategjia është dokument gjithëpërfshirës dhe dinamik – nuk është vetëm një letër politike, por proces që kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm mes institucioneve, shoqërisë civile dhe qytetarëve,” theksoi Svirca. Nga dokument në veprim, si po zbatohet strategjia? Sipas tij, strategjia ka hyrë në fazën e zbatimit dhe përfshin një plan veprimi trevjeçar me mbi 100 aktivitete konkrete. “Strategjia është dhjetëvjeçare, ndërsa plani i veprimit është trevjeçar. Ai rishikohet çdo tre vjet për t’u përshtatur me nevojat dhe zhvillimet e reja,” sqaroi Svirca, duke theksuar rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional. Megjithatë, sfida më e madhe, sipas tij, mbetet mungesa e koordinimit efektiv mes institucioneve publike dhe nevoja për konsensus politik e shoqëror. “Nëse secili institucion nuk e merr përgjegjësinë e vet, strategjia mbetet në letër. Drejtësia kërkon veprim të përbashkët, empati dhe qasje njerëzore ndaj viktimave,” shtoi ai në "Përballje Podcast" me kryredaktorin Muhamet Hajrullahu. Roli i shoqërisë civile dhe viktimave në qendër Nga ana tjetër, Mehmet Musaj nga KRCT theksoi se shoqëria civile ka qenë motori i parë i drejtësisë tranzicionale në Kosovë, shumë përpara miratimit të strategjisë. “Shoqëria civile ka punuar në drejtësi tranzicionale që nga viti 1999. Ne kemi trajnuar gjyqtarë e prokurorë me qasje të ndjeshme ndaj traumës dhe kemi ndërtuar hapësira miqësore ku viktimat mund të dëshmojnë me siguri e dinjitet,” tha Musaj. Ai theksoi se viktimat duhet të jenë qendra e procesit, jo thjesht subjekt dokumentesh. “Nuk mjafton t’i vendosësh viktimat në qendër në letër. Duhet t’i pyesësh se çfarë kanë nevojë, si mund t’i ndihmojmë pa i ritraumatizuar. Kjo është drejtësia e vërtetë,” shtoi ai. Sipas Musajt, Kosova është vendi i vetëm në rajon që ka hartuar një strategji të tillë, duke u bërë shembull për qasje institucionale ndaj drejtësisë pas konflikteve. “Kjo strategji tregon vullnetin për ta pranuar të kaluarën dhe për ta shndërruar në bazë të pajtimit e zhvillimit demokratik,” deklaroi ai. Në fund të bisedës, të dy të ftuarit theksuan se drejtësia tranzicionale është proces i gjatë, që kërkon durim dhe ndjeshmëri shoqërore. Drejtësia nuk është vetëm formale, por shoqërore dhe pa përfshirjen e qytetarëve nuk ka pajtim të qëndrueshëm kanë shtuar ata. Ky podcast u realizua në bashkëpunim me Pro Peace. Pikëpamjet e shprehura janë përgjegjësi e Telegrafi.com dhe nuk pasqyrojnë ato të Pro Peace.