A do t’i besonit kësaj Toyota të vogël për të çuar fëmijën tuaj në shkollë?

Toyota ka prezantuar në Panairin e Mobilitetit 2025 në Japoni një koncept të pazakontë – një makinë të vogël vetëdrejtuese për fëmijë, të quajtur Kids Mobi. Automjeti elektrik është projektuar për fëmijë deri në 130 cm të gjatësi. Me drita LED që shfaqin emocione dhe sensorë në formë veshësh, Kids Mobi ngjan më shumë me një personazh vizatimor sesa me një makinë. Brendësia përfshin një sedilje të vetme dhe një asistent AI të quajtur “UX Friend”, që bashkëbisedon me fëmijën gjatë udhëtimit. Toyota thotë se qëllimi është t’u japë fëmijëve ndjesinë e lirisë dhe pavarësisë, njësoj si të rriturit me makinat e tyre. Edhe pse ideja e një fëmije që udhëton vetëm në një automjet autonom mund të duket e çuditshme, kompania beson se në të ardhmen kjo mund të jetë më e sigurt se një autobus shkolle. Projekti është pjesë e programit AI x Robotics Data Center, ndaj zhvillimi i tij do të vazhdojë edhe pas panairit. Për momentin, Kids Mobi mbetet një koncept që vizitorët mund ta shohin nga afër dhe të marrin si kujtim një varëse origjinale nga Toyota. /Telegrafi/