Furnizuesi i armëve të filmit “Rust” padit Alec Baldwinin

Furnizuesi i armëve dhe municioneve për filmin “Rust”, Seth Kenney, ka paditur aktorin Alec Baldwin, producentët dhe disa anëtarë të tjerë të ekipit të filmit, duke i akuzuar se e kanë fajësuar padrejtësisht për vdekjen e kinematografes Halyna Hutchins dhe plagosjen e regjisorit Joel Souza gjatë xhirimeve në tetor të vitit 2021. Kenney, pronar i kompanisë “PDQ Arm & Prop”, pretendon se Baldwin dhe ekipi i filmit e kanë përdorur atë si 'kokë turku' për të shmangur përgjegjësinë dhe për të devijuar vëmendjen e publikut nga gabimet e tyre në siguri. Ai thekson se është akuzuar gabimisht si burimi i plumbit të vërtetë që ndodhej në armën që Baldëin përdori gjatë provës së një skene. Nga xhirimet e "Rust" Në padi thuhet se ekipi i “Rust” nuk i ka respektuar rregullat bazë të sigurisë në përdorimin e armëve, ndërsa veçanërisht përmendet përgjegjësia e Hannah Gutierrez-Reed, e cila më herët është dënuar për vrasje nga pakujdesia. Kenney shton se përhapja e informacionit të rremë për rolin e tij në ngjarje i ka shkaktuar dëm të madh personal dhe profesional. Kujtojmë se Alec u përball me akuza për vrasje nga pakujdesia, por në korrik 2024 gjykata i hodhi poshtë akuzat, pasi u zbulua se prokuroria kishte fshehur prova të rëndësishme. Shtatëmbëdhjetë muaj pas ngjarjes, çështja ndaj tij u mbyll pa dënim. /Telegrafi/