Sezoni i parë i Lewis Hamilton me Ferrarin nuk ka shkuar siç u prit. Kampioni shtatë herë i botës ende nuk ka arritur asnjë podium në 20 gara dhe aktualisht po kalon një nga periudhat më të vështira të karrierës së tij. Ndërkohë, Charles Leclerc po shkëlqen dhe po e tejkalon dukshëm britanikun, gjë që ka nxitur spekulime mbi të ardhmen e tij te skuadra italiane. Disa media, përfshirë ESPN dhe Corriere della Sera, kanë raportuar se Ferrari mund të mos rinovojë kontratën e Hamiltonit, e cila skadon në fund të sezonit 2026. Madje, janë përmendur edhe emra të mundshëm për ta zëvendësuar, si George Russell. Por Hamilton, 40 vjeç, duket krejtësisht i qetë përballë këtyre zërave. Në një intervistë për revistën Ferrari Magazine, ai theksoi se ka nevojë për kohë që të përshtatet plotësisht me realitetin e ri të Maranellos. “E dija që bashkimi me Ferrarin do të ishte diçka e madhe, por është edhe më e fuqishme nga sa e kisha imagjinuar. Ka shumë përgjegjësi dhe pritshmëri të mëdha. Të gjithë duan fitore të menjëhershme, por Roma nuk u ndërtua në një ditë”, deklaroi Hamilton. Hamilton pranon se ky fillim i vështirë nuk e ka lëkundur besimin e tij, duke treguar se përgatitja e tij vazhdon të jetë e njëjtë. “Vetëm kur je brenda një ekipi e kupton si funksionon ai vërtet. Formula 1 ndryshon vazhdimisht. Unë përpiqem të fokusohem te gjërat që mund t’i kontrolloj – përgatitja ime, puna me ekipin dhe qëndrimi pozitiv çdo ditë”, nënvizoi ai. Britaniku, që këtë sezon ka regjistruar si rezultat më të mirë vendin e katërt në Imola, Austri, Silverstone dhe Austin, theksoi se nuk ka ndërmend të ndalet, pavarësisht kritikave. Gjithashtu, Hamilton mohoi se angazhimet e tij jashtë pistës ndikojnë negativisht në performancë. “Të gjithë mund të shpërqendrohen në një mënyrë apo tjetër. E rëndësishme është si e ndan energjinë tënde. Duhet të gjesh ekuilibrin, sepse nuk mund të punosh pa pushim – do të ishe i mjerë. Për mua, krijimtaria është mënyra për të qëndruar i frymëzuar”, ka thënë britaniku. Hamilton mbetet i bindur se partneriteti i tij me Ferrarin do të japë fryte, edhe pse rruga drejt suksesit është e gjatë. Dhe për momentin, siç e thotë vetë ai, “durimi është pjesë e garës”. /Telegrafi/