Dy ushtarë të Koresë së Veriut, të kapur nga forcat ukrainase në rajonin e Kurskut të Rusisë në janar, kanë kërkuar të transferohen në Korenë e Jugut dhe thuhet se janë përpjekur të dëmtojnë veten. Dy të burgosurit e luftës bënë kërkesën për t'u dërguar në Korenë e Jugut gjatë një interviste për një dokumentar të mbajtur më 28 tetor, shkruan Barron's. "Të dy (të burgosurit e luftës) i kërkuan producentit në fund të intervistës t'i çonte në Jug", tha Jang Se Yul, kreu i një organizate që mbështet dezertorët e Koresë së Veriut dhe vetë një dezertues nga Koreja e Veriut. Video intervista nuk është publikuar ende, por sipas Jang, pritet të bëhet publike në javët e ardhshme, transmeton Telegrafi. Yonhap citoi gjithashtu Jang të ketë thënë se të dy të burgosurit shprehën dëshirën për të shkuar në Korenë e Jugut, një ndryshim nga shkurti, kur vetëm njëri prej tyre shprehu një dëshirë të tillë gjatë një takimi me një ligjvënës të Koresë së Jugut. Fotografitë tregojnë se një plagë në nofull që njëri prej tyre mori gjatë kapjes tani është shëruar, megjithëse disa deformime të kockave mbeten. Gjithashtu u vu re se portrete të vizatuara me dorë të udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, vareshin mbi një nga shtretërit e të burgosurve. Thuhet se të burgosurit i kërkuan producentit të siguronte ilaçe për sytë, rroba të thurura, pantallona, cigare, stilolapsa dhe libra, tha Jang. Ai gjithashtu transmetoi deklarata nga zyrtarë ukrainas që thoshin se të burgosurit e Koresë së Veriut ishin në një gjendje paqëndrueshmërie psikologjike, dhe kishin tentuar të vetëlëndoheshin. Sipas kushtetutës së Koresë së Jugut, të gjithë koreanët konsiderohen qytetarë, përfshirë ata që jetojnë në Korenë e Veriut, dhe Seuli ka deklaruar se kjo vlen për çdo ushtar të Koresë së Veriut të kapur në Ukrainë. Koreja e Jugut e ka informuar qeverinë ukrainase për gatishmërinë e saj për të pranuar të burgosurit nëse qëllimet e tyre konfirmohen. /Telegrafi/