Trajneri që u bë hit falë Football Manager pushohet nga puna pas 13 ndeshjesh

Will Still, anglezi 33-vjeçar i lindur në Belgjikë, nisi karrierën e tij si trajner në moshën 25-vjeçare dhe deri në 29 vjeç drejtonte një klub në Ligue 1, Reims, ku u bë një emër i njohur në futbollin francez. Pas dy sezonesh të suksesshme me Reims, Still mori drejtimin e Lens, duke udhëhequr ekipin në Ligën e Kampionëve, por u largua pas një sezoni. Këtë verë ai mori një sfidë të re te Southampton, i sapoardhur në Championship pas rënies nga Liga Premier. Megjithatë, eksperienca e tij nuk shkoi sipas planit. Pas vetëm pesë muajsh dhe 13 ndeshjesh, Southampton e shkarkoi, duke e lënë klubin në zonën e rënies, megjithëse ai kishte nënshkruar një kontratë trevjeçare. Në ato 13 ndeshje, Still regjistroi vetëm dy fitore. Still nisi mirë duke mposhtur Wrexham në raundin e parë, por më pas arriti vetëm një fitore tjetër, duke kaluar në një seri humbjesh. Humbja 2-0 ndaj Preston-it ishte vendimtare për drejtuesit e klubit, që vendosën ta shkarkojnë. Në vend të tij, drejtimin e skuadrës do ta marrë Tonda Eckert, ish-trajnerja e ekipit të ri, ndërsa asistentët e tij, pjesë e një projekti afatgjatë që doli të jetë i shkurtër, po largohen gjithashtu. Will Still njihet si mishërimi i “trajnerit të laptopëve”, një menaxher që ka pranuar se eksperienca e tij në lojën Football Manager ka ndikuar në stilin dhe filozofinë e tij. Ai është konsideruar një model për trajnerët e rinj, por dy mandatet e fundit të tij kanë shkuar keq, duke lënë të hapur pyetjen se cili do të jetë hapi i tij i ardhshëm në karrierë. /Telegrafi/