Kombëtarja e Kosovës në hendboll për herë të parë do të paraqitet në fazën e dytë kualifikuese për Kampionat Botëror. Ndeshjet e fazës së dytë kualifikuese luhen më 18/19 dhe 21/22 mars të vitit të ardhshëm. Në fazën e dytë kualifikuese do të garojnë 16 Kombëtare. Tetë Kombëtaret fituese kalojnë në raundin e tretë dhe të fundit të kualifikimeve për Botërorin 2027. Kombëtarja jonë do të jetë në vazon e dytë për short. Në vazon e dytë janë edhe Sllovakia, Lituania, Belgjika, Finlanda, Izraeli, Turqia e Letonia. Pra me këto Kombëtare nuk mund të përballet Kosova. Në vazon e parë do të jenë Greqia dhe Bosnjë-Hercegovina si dhe gjashtë Kombëtaret që përfundojnë në vend të fundit në grupet e Euro 2026. Kombëtarja jonë do të përballet me një ekip të vazos së parë. Shorti do të tërhiqet pasi të përfundoi faza e parë grupore në Euro 2026. Evropiani i vitit të ardhshëm mbahet prej 15 janarit deri më 1 shkurt në Danimarkë, Norvegji e Suedi. Kosova u kualifikua në raundin e dytë duke fituar të dy ndeshjet me Britaninë e Madhe. Kualifikimi u sigurua të dielën mbrëma. /Telegrafi/