Ky është serbi që u plagos nga xhandarmeria serbe, avokati fajëson Vuçiqin: A menduat se kjo do të fshihej?

Policia e Kosovës ka konfirmuar se më 1 nëntor 2025 ka pranuar informacion për një incident të rëndë në zonën e Leposaviqit, ku dyshohet se një shtetas i Republikës së Kosovës, me inicialet M.V., i përkatësisë serbe, është plagosur dhe rrëmbyer nga pjesëtarë të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Kosovës. Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në afërsi të ashtuquajturës “pika zero”, në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Policia ka njoftuar menjëherë KFOR-in, si forcë përgjegjëse për sigurinë në zonën kufitare. Avokati serb Ivan Niniq ka bërë të ditur se personi i rrëmbyer është Milan Vukashinoviq, duke postuar në rrjetin social X një sërë pyetjesh për presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe zyrtarë të tjerë, lidhur me gjendjen dhe trajtimin e tij pas incidentit. Niniq kërkoi përgjigje për detaje të shumta, duke përfshirë: nëse Vukashinoviqi është qëlluar për vdekje, gjendjen e plagëve të tij, pjesëmarrjen e ushtrisë dhe të personave të tjerë, si dhe rrethanat e transportimit të tij në Qendrën Klinike të Nishit. Milan Vukashinoviq është i njohur për qëndrimet e tij politike, duke përkrahur hapur ish-zëvendësministrin për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviq, dhe duke kundërshtuar Listën Serbe. Ai më herët ka qenë viktimë e sulmeve, përfshirë vendosjen e eksplozivit në veturë dhe sulme të tjera në media lokale. Policia e Kosovës vazhdon hetimet, ndërsa KFOR-i monitoron situatën në zonën kufitare për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon.