KuPS shpallet kampion i Finlandës, Doni Arifi mes meritorëve kryesorë

KuPS është shpallur kampion i Finlandës për vitin 2025, një xhiro para fundit të sezonit, duke siguruar epërsinë prej katër pikësh ndaj rivalit të ngushtë, Ilves. Kampionati u vendos pas fitores spektakolare 3-2 ndaj Inter Turku, në një ndeshje të mbushur me gola dhe emocion. Ndërkohë, Ilves barazoi 3-3 me SJK, duke humbur mundësinë për të luftuar deri në xhiron e fundit për titullin, duke i hapur rrugën KuPS-it drejt suksesit. Ky është titulli i dytë me radhë për KuPS, por ndër më meritorët e sezonit ishte mesfushori kosovar, Doni Arifi. Te klubi finlandez luan edhe sulmuesi Agon Sadiku. Mesfushori 23-vjeçar përfundoi sezonin me një gol dhe dy asistime, duke u konsideruar si një nga mesfushorët më të mirë qendrorë në Superligën e Finlandës. Ai ishte pjesë e përfaqësueses U21 të Finlandës dhe këtë vit zhvilloi 36 ndeshje me KuPS-in, duke qenë shtyllë e mesfushës dhe një nga lojtarët më të vlerësuar të kampionatit. Arifi ka treguar formë të shkëlqyer edhe më parë te Ilves, por me KuPS dallohet për organizimin e lojës, si dhe për aftësinë e tij për të ndërprerë aksionet e kundërshtarëve si mesfushor defensiv. Pas pesë viteve te Ilves, Doni vendosi të bashkohej me KuPS, edhe pse kishte oferta të tjera, duke konfirmuar rëndësinë e tij në suksesin e skuadrës kampione. Në anën tjetër, Sadiku ka kontribuuar me 9 gola dhe 2 asistime. /Telegrafi/