Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj kritikave dhe këshillave që po merr partia e tij këto ditë, duke theksuar se LDK-ja mbetet e përqendruar te prioritetet dhe garat e ardhshme zgjedhore. “Kur do ta kuptojnë? Kundërshtimet e juaja s’na lënë përshtypje; kemi parë se çfarë duartrokisni! I falënderojmë të gjithë eksponentët e Vetëvendosjes dhe kundërshtarët tanë ideologjikë, që këto ditë po na tregojnë se si duhet të udhëhiqet LDK-ja, çka dëshiron elektorati ynë dhe si duhet të jetë e ardhmja jonë si parti. Jemi të bindur se e kanë për ‘të mirën tonë’.” Ai shtoi se partia po përballet me një program të ngjeshur zgjedhor, duke pasur në fokus 9 gara që duhet të zhvillohen. “Por të na mirëkuptojnë e falin për mungesën e përgjigjeve ndaj brengave të tyre. Jemi bukur të zënë. Sepse momentalisht i kemi 9 gara për t’i bërë. Të dielën duam veç fitore; dhe na besoni, do të fitojmë!” Abdixhiku thekson se LDK-ja nuk do të lejojë që kritikat apo kundërshtimet të devijojnë vëmendjen nga objektivat e saj politike dhe nga zgjedhjet lokale që po afrojnë.