Analiza e gjakut është mënyra e vetme për të kontrolluar nivelin e granulociteve, ndërsa granulocitoza, pra, rritja e nivelit të tyre në gjak, mund të ketë shumë shkaqe, dhe jo të gjitha janë të rënda Granulocitet janë një nënkategori e qelizave të bardha të gjakut (leukociteve) që qarkullojnë në gjak (si neutrofilet, eozinofile dhe bazofile ) ose qëndrojnë në inde (si mastocitet ). Ato veprojnë së bashku në luftën kundër infeksioneve, alergeneve dhe proceseve inflamatore në trup. Këto qeliza përmbajnë granula enzimatike në citoplazmë, një substancë gjysmë e lëngshme që mbush çdo qelizë, të cilat lirohen kur në trup shfaqet një infeksion ose inflamacion, për të ndihmuar në shkatërrimin e mikroorganizmave. Granulocitoza - niveli i lartë i granulociteve Kur numri i granulociteve në analizën e gjakut është i lartë, flitet për granulocitozë . Ky ndryshim zakonisht është reagim mbrojtës i organizmit ndaj infeksioneve ose proceseve inflamatore. Granulocitoza mund të ndodhë: gjatë infeksioneve bakteriale ose virale , në sëmundje autoimune (si artriti reumatoid), pas djegieve , traumave , stresit ekstrem , në sepsë (infeksion i përhapur në gjak), te sëmundjet e zorrëve inflamatore , gjatë insuficiencës renale , sulmimit në zemër , ose si pasojë e disa barnave specifike dhe kancerit metastatik . Në disa raste të rralla, granulocitoza mund të lidhet me çrregullime të palcës kockore , si leukemia mieloide kronike (CML) , ku rritja e granulociteve është e vazhdueshme dhe jo reaktive, transmeton Telegrafi. GettyImages Çfarë tregon niveli i lartë i granulociteve? Në shumicën e rasteve, niveli i lartë i granulociteve tregon për infeksion aktiv ose proces inflamator në trup. Në anën tjetër, niveli i ulët i granulociteve (granulopenia) mund të tregojë probleme në palcën e kockave, si leuçemia ose anemia aplastike , ku prodhimi i qelizave të bardha është i penguar. Granulocitet njihen gjithashtu me emrat: leukocite granulare , leukocite polimorfonukleare (PMN) . A duhet të shqetësoheni? Megjithëse granulocitoza mund të tingëllojë shqetësuese, jo çdo rritje e granulociteve është shenjë e sëmundjes serioze . Shpesh, bëhet fjalë për reagim normal të trupit ndaj infeksioneve të përkohshme , stresit ose inflamacionit. Vetëm mjeku, përmes analizave të hollësishme (p.sh. formula leukocitare dhe analiza të tjera laboratorike), mund të përcaktojë shkakun e saktë të rritjes së tyre. Në përmbledhje, granulocitoza është një gjendje që tregon se sistemi imunitar është aktiv, zakonisht në përgjigje ndaj një procesi inflamator apo infektiv, por kërkon gjithmonë vlerësim mjekësor për të përjashtuar shkaqet më serioze. /Telegrafi/