Plagosja dhe rrëmbimi i serbit nga xhandarmeria serbe brenda territorit të Kosovës, reagon Sveçla

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas sulmit të raportuar në zonën “-0-” të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, ku xhandarmëria serbe dyshohet se ka plagosur dhe rrëmbyer një qytetar me inicialet M.V., shtetas i Republikës së Kosovës. Sveçla e ka cilësuar këtë ngjarje si një akt të përsëritur dhe të pandëshkuar, duke theksuar se veprimet e Serbisë destabilizojnë hapur integritetin territorial të Kosovës dhe shkelin të drejtat e qytetarëve të saj. “Serbia po vazhdon me veprimet e saj destabilizuese ndaj Republikës së Kosovës, duke cënuar hapur integritetin tonë territorial, kësaj radhe në zonën -0- të kufirit, ku ka prani të shtuar të KFOR-it. Kjo qasje agresive dhe provokuese e Serbisë është e papranueshme dhe përbën shkelje të rëndë të kufijve tanë shtetërorë dhe të të drejtave të qytetarëve tanë”, ka theksuar Sveçla. Ministri shtoi se veprimet e Serbisë janë pjesë e politikave të saj të frikësimit dhe përndjekjes së qytetarëve që nuk pajtohen me regjimin e Aleksandar Vuçiqit, duke kujtuar se dy vite më parë pjesëtarë të njësive speciale serbe kishin kidnapuar tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës, pas së cilës kishte ndodhur sulmi terrorist në Banjskë. Sveçla ka bërë thirrje që faktori ndërkombëtar të ndërmarrë veprime të qarta dhe ndëshkuese ndaj Serbisë, në mënyrë që këto akte armiqësore të mos përsëriten më kurrë.