Krasniqi: Arian Tahiri përfaqëson gjithë qytetarët e Mitrovicës për një qytet që zhvillohet​

Sot ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash në Kosovë, që do të zgjasë deri më 9 nëntor, në orën 07:00. Gjatë ditës, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka vizituar Mitrovicën për të dhënë mbështetje për kandidatin e PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahirin. Gjatë aktivitetit, Krasniqi ka theksuar se Mitrovica është bashkuar për të mbështetur Arian Tahirin, duke u angazhuar për një Mitrovicë që punon, bashkon dhe beson. Ai theksoi se Arian Tahiri tashmë përfaqëson të gjithë qytetarët e Mitrovicës, pa dallim, dhe se ai është një kandidat që ka edukatën dhe vlerat e duhura për të udhëhequr këtë qytet drejt zhvillimit. “Ariani, me edukatën dhe vlerat e tij, mishëron drejtimin për të cilin ky qytet qëndron. Ai përfaqëson vazhdimësinë e një Kryetari të mirë, si Bedri Hamza, që besimin e qytetarëve e ka të shenjtë - ndërsa punën e ka valutë,” shkruan Krasniqi në Facebook. Ai gjithashtu ka ftuar të gjithë mitrovicasit që të votojnë për një qytet që zhvillohet dhe që beson, duke u angazhuar për një Mitrovicë që fiton sërish.