Totaj: Fitorja e 9 nëntorit do ta çojë Prizrenin drejt transformimit të plotë

Në një atmosferë entuziazmi dhe bashkimi, është mbajtur tubimi madhështor i Partisë Demokratike të Kosovës me nëndegët “11 Marsi” dhe “2 Korriku” në Prizren. Pjesëmarrja e madhe e qytetarëve dëshmoi mobilizimin e fuqishëm për fitoren e balotazhit më 9 nëntor. Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, në fjalën e tij para të pranishmëve theksoi se puna e deritashme dhe vizioni për zhvillimin e qytetit do të vazhdojnë me intensitet edhe më të madh në mandatin e dytë. “Prizreni po ecën me hapa të sigurt drejt transformimit dhe modernizimit maksimal. Çdo projekt, çdo nismë, është dëshmi e punës dhe përkushtimit tonë për qytetin" - u shpreh Totaj. Ai shtoi se besimi dhe përkrahja e qytetarëve janë motivi kryesor për të vazhduar me projekte që e bëjnë Prizrenin model zhvillimi në gjithë Kosovën. “Fryma e bashkimit dhe energjia që po e shohim sonte janë garanci për fitoren e madhe të 9 Nëntorit. Bashkë do ta çojmë Prizrenin edhe më lart" - tha Totaj, duke falënderuar të gjithë përkrahësit dhe strukturat e PDK-së për angazhimin e tyre. Tubimi i sontëm shënoi një tjetër dëshmi të organizimit të fuqishëm të PDK-së në Prizren, në prag të një beteje zgjedhore që po shihet si vendimtare për vazhdimin e transformimit të qytetit.