Rritje e ndjeshme e rasteve me grip, Bellcishta: Pacientët të kenë kujdes në simptomat e para

Kohëve të fundit është rritur ndjeshëm numri i të prekurve me grip dhe virusin sezonal, thotë për TVM2, mjekja Sefiane Bellcishta. Thekson se pacientët ankohen nga temperaturat e larta, kollitje, molisje dhe dhimbje të muskujve. Format më të rënda të gripit mund t’i kapë fëmijët nga 6 muaj dhe grupmoshat mbi 65 vjeç që janë me sëmundje kronike. “Simptoma e parë është me temperaturë të lartë mbi 39 deri në 40 gradë, ajo zgjat vetëm një ditë dhe nëse zgjat temperatura mbi dy apo tre ditë d.m.th. u është bashkëngjitur edhe ndonjë baktere tjetër e këtij virusi, që është bërë komplikim tek ata pacientë. Kanë kollitje, teshtitje, dhimbje në muskujt, janë të lodhur, janë si të përgjumshëm, ata pacientë nuk kanë as koncentrim", deklaroi mjekja, Sefiane Bellcishta. Mjekët thonë që pacientët që në simptomat e para të paraqiten tek mjeku amë për t’u dhënë terapinë e duhur që të prevenojnë komplikimet e ndryshme nga gripi dhe virusi sezonal. “Komplikimet më të shpeshta janë në organet e poshtme të frymëmarrjes, që mund të marrin një pneumoni, e cila mund të jetë edhe fatale te disa persona, qoftë tek fëmijët, qoftë tek të rriturit, si dhe organet e sipërme të frymëmarrjes mund të kenë ndezje të sinuseve, qoftë frontal apo maksilar, si dhe otidet ndezjet e veshit, te ata persona që tek dikush mund të shkojë të prekë sistemin nervor, mund edhe dëgjimi të humbë tek ata persona", theksoi mjekja, Sefiane Bellcishta. Mjekja Bellcishta thekson se si masë parandaluese kundër gripit është vaksina për kategoritë e rrezikuara sociale. Ushqimi i pasur me vitamina dhe minerale, pemët dhe perimet sezonale, supa e ngrohtë, çajrat bimorë, mbajtja e higjienës, si dhe shmangia prej personave që janë të infektuar me grip apo virus. Më 16 tetor në vend ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal, i cili po realizohet në gjithsej 35 pika vaksinimi prej të cilave pesë janë në Shkup. Këtë vit ministria ka siguruar numrin më të madh të vaksinave kundër gripit sezonal – 80 mijë doza të vaksinës katërvalente nga prodhuesi i njohur “Abot” nga Holanda.