Lladrovci: Jam pjesë e PDK-së dhe askush nuk mund të më largojë nga kjo parti​

Ramiz Lladrovci në “Debat Plus” në RTV Dukagjini ka thënë se dëshiron fitoren e kandidatëve të PDK-së në komunat ku kjo parti është në balotazh. Ai theksoi se vazhdon të jetë pjesë e PDK-së dhe se askush nuk mund ta largojë nga kjo parti. “Kam thënë dhe po e them prapë, s’ka bir nane që më heq, por nëse partia, udhëheqja nuk reflekton, unë duhet me i ra qashtu, me ja thy brit për me e largu prej aty ku është, që me vazhdu me PDK-në. Memlin dhe ata që janë përgjegjës, le të gjejë Memli përgjegjësinë, nuk jam duke thënë unë Memli ose ky”, ka deklaruar Lladrovci. Ai ka shtuar se janë mijëra njerëz brenda PDK-së që janë të kënaqur me të, por ka refuzuar të përmendë emra nga kryesia e partisë që e mbështesin. Lladrovci ka thënë se kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka gabuar duke iu referuar zgjedhjeve lokale, përkatësisht Drenasit. “Kryetari im, që akoma e kam kryetar, Memli Krasniqi, gaboi. Gaboi në shumë hapa, në shumë drejtime. Kur kemi folur për temën e Drenasit, i kam thënë: mos bëj gabime. Kur ka filluar, përveç gabimeve të veta, me zgjeruar rrjetin me njerëz të tjerë për të bërë gabime dhe për t’i shtyrë të tjerët të bëjnë gabime, ta zëmë anëtarët e kryesisë – 26 prej 43-ve – që kanë ngritur dorën kundër një kryetari që ka autoritet, që ka punuar mirë, që ka vlerësime kombëtare e ndërkombëtare”, ka thënë Lladrovci. “Kjo ka qenë një gjë që ka bërë gabime dhe unë nuk kam qejf ta shoh Partinë Demokratike duke bërë gabime të tilla – një parti shtetndërtuese, shtetformuese, një parti e cila ia ka dhënë mandatin”, ka shtuar ai. Ai tutje ka thënë se partia nuk duhet të keqpërdoret derisa ka thënë se Krasniqin e kishte mbështetur për të qenë kryetar i partisë. Lladrovci tutje ka thënë se ishte akuzuar dy herë pse ishte mbetur në balotazh, po se ‘thikat’ i vinin nga njerëzit të cilët e rrethonin, por që kur i vuri të gjithë ‘përballë’ fitoi pa balotazh. - YouTube youtu.be