Një muaj paraburgim për policin serb që u zë duke transportuar fishekë e para të gatshme

Gjykata Themelore e Mitrovicës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj pjesëtarit të Policisë së Serbisë, i cili u arrestua në pikën kufitare të Jarinjës, nën dyshimin se transportoi fishekë dhe para të gatshme. Nga gjykata është konfirmuar se masa ndaj të pandehurit N.U. është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi i armëve apo materialeve plasëse”, sipas nenit 364, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ngjarja ndodhi të dielën, më 2 nëntor 2025, kur Policia e Kosovës njoftoi se në vendkalimin kufitar në Jarinjë kishte arrestuar të dyshuarin, pjesëtar të Policisë së Serbisë. Gjatë kontrollit në automjetin me targa të Beogradit që ai po drejtonte, policia ka gjetur dhe konfiskuar 51 fishekë, 9 mijë e 900 euro dhe 26 mijë dinarë serbë.