Pas marrjes së drejtimit të Juventusit të Torinos, Luciano Spalletti është i vendosur të ketë fjalën kryesore në ndërtimin e skuadrës së tij. Trajneri italian e ka vënë tashmë në shënjestër mbrojtësin e Bayern Munichut, Kim Min-jae, si përforcimin ideal për repartin defensiv të “Zonjës së Vjetër”. Juventusi është i vetëdijshëm se duhet të punojë pa pushim për të rikthyer lavdinë, si në kampionatin italian, ashtu edhe në arenën evropiane. Pas një periudhe me rezultate të paqëndrueshme, klubi torinez ka vendosur t’i besojë eksperiencës dhe autoritetit të Spallettit, një trajner që njihet për disiplinë dhe vendosmëri në ndërtimin e projekteve fituese. Duket se trajneri dëshiron të ribashkohet me një lojtar që e njeh mire, Kim Min-jae, mbrojtësi i cili nën drejtimin e tij te Napoli ishte ndër pikat kyçe të skuadrës që fitoi titullin e Serie A. Kim Min-jae, në radarët e Juventusit Sipas raportimeve të Rai Sport , Spalletti pritet t’i kërkojë klubit të bëjë një përpjekje serioze për të marrë shërbimet e mbrojtësit, i cili është i lidhur me Bayernin deri në vitin 2028. 28-vjeçari do të ishte një përforcim i nivelit të lartë për Juventusin, duke sjellë siguri dhe përvojë në mbrojtje. Megjithatë, gara për të nuk do të jetë e lehtë, pasi edhe Interi dhe Milani e kanë përfshirë Kim Min-jae në listën e tyre të dëshirave. Aktualisht, Bayerni mban kontrollin e plotë mbi të ardhmen e lojtarit, i cili mbetet një nga mbrojtësit më të vlerësuar në Evropë, dhe një objektiv që ngjall shumë interes. /Telegrafi/