FCSB po përgatitet të bëjë një nga lëvizjet më të bujshme të afatit kalimtar dimëror në Rumani, duke synuar transferimin e mesfushorit kosovar Lindon Emërllahu nga CFR Cluj. Sipas raportimeve të “Digisport”, klubi i Gigi Becalit ka ofruar rreth 4.5 milionë euro për të siguruar shërbimet e dy lojtarëve të CFR Cluj, Louis Munteanu dhe Lindon Emërllahu. Në një intervistë të dhënë të hënën në mbrëmje, vetë Becali nuk e konfirmoi dhe as e mohoi këtë ofertë, duke theksuar se ka një marrëveshje me presidentin e CFR-së, Ioan Varga, për të mos zbuluar detajet e negociatave. "Ka gjëra që nuk mund t'i diskutojë. Ato janë diskutime tona mes dy klubeve. Kur të hapet afati kalimtar, atëherë do të jemi nëgjendje të flasim", tha Becali. Megjithatë, ai e vlerësoi lart Emërllahun, duke e përshkruar si një lojtar të ri, të vlefshëm dhe me potencial të madh. Komentet e Becalit u pasuan edhe nga analiza e ish-futbollistit rumun Andrei Cristea, i cili për “PRO TV” deklaroi se një transferim i dyshes Munteanu–Emërllahu te FCSB do të ishte një goditje e madhe sportive dhe ekonomike, pasi të dy janë lojtarë të çmuar dhe me treg të gjerë evropian. Lindon Emërllahu, 22 vjeç, iu bashkua CFR Cluj në shkurt të vitit 2025 nga Ballkani, duke firmosur kontratë deri në qershor 2028. Aktualisht, Transfermarkt e vlerëson mesfushorin kosovar me 1.3 milionë euro, ndërsa paraqitjet e tij këtë sezon e kanë rritur ndjeshëm interesin e klubeve të tjera. Ai ka zhvilluar 12 ndeshje në Superligën rumune, duke shënuar 4 gola dhe dhënë 2 asistime, ndërkohë që ka 12 paraqitje me Kombëtaren e Kosovës, ku ka realizuar një gol. Nëse marrëveshja finalizohet, Emërllahu do të bëhej një nga transferimet më të shtrenjta në historinë e FCSB-së dhe një tjetër histori suksesi për futbollistët kosovarë në kampionatin rumun. /Telegrafi/