Altin Krasniqi, djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe njërit nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi ka kujtuar përmes një postimi emocional në rrjete sociale pesë vjetorin e paraburgimit të babait të tij. Ai e ka cilësuar këtë periudhë si vite të dhimbjes, krenarisë dhe padrejtësisë së vazhduar. “1,826 ditë pritje. 1,826 ditë dhimbje e krenari. Sot bëhen pesë vite që ne presim drejtësi, ndërsa babi, edhe sot, në pleqëri, po sakrifikon si atëherë me dinjitet e forcë”, ka shkruar Krasniqi. Ai kujton se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ishte zgjedhje, por domosdoshmëri për liri. “Lufta e UÇK-së nuk lindi nga dëshira për luftë, por nga domosdoshmëria për liri. Shqiptarët e Kosovës me vite kërkuan drejtësinë e mohuar, herë me protesta e herë me parulla, por sa herë që kërkonin barazi, ata shtypeshin edhe më shumë”, ka shkruar tutje djali i Jakup Krasniqit. Në postimin e tij, Krasniqi thekson se për dekada shqiptarët janë përballur me masakra, dëbime dhe burgosje nga regjimi serb, ndërsa bota perëndimore kishte harruar të drejtën e tyre për të jetuar me dinjitet. “Ata kërkuan me armë atë që me vite iu ishte mohuar me fjalë. Dhe e fituan lirinë me shumë gjak të derdhur dhe me shumë sakrifica ajo nuk u dhurua”, ka shkruar Krasniqi. Djali i ish-udhëheqësit të UÇK-së e lidh këtë kujtesë me gjykimet aktuale në Hagë, duke theksuar se aty po gjykohet e drejta për liri e tërë një populli. “Në korridoret e ftohta e të errëta të drejtësisë evropiane, po gjykohet e drejta për liri. Atje nuk po gjykohen individët, por lufta e drejtë dhe çlirimtare e një populli që pranoi se më mirë ishte të jetonte një sekond në liri sesa një jetë në robëri.” Në fund, ai ngre pyetje të drejtpërdrejta mbi standardet e drejtësisë që po zbatohen ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së. “A është kjo drejtësi me standarde evropiane? A është drejtësi kur mbahesh për 5 vite në paraburgim? A është drejtësi t’i barazosh viktimën me agresorin? Jo! Kjo nuk është drejtësi. Është vazhdim i padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve”, ka shkruar Altin Krasniqi. /Telegrafi/