Neuer nuk e mendon pensionimin, flet për kontratën e re me Bayernin

Portieri legjendar Manuel Neuer nuk po shqetësohet për skadimin e kontratës së tij me Bayern Munich, që përfundon këtë verë. 39-vjeçari thekson se po merr kohën e tij për të vendosur një zgjatje të mundshme dhe mbetet i fokusuar te performanca e skuadrës. “Jam plotësisht i qetë për këtë. Gjëja më e rëndësishme për momentin është ajo që bëjmë me ekipin tonë”, tha Neuer në një konferencë për shtyp përpara ndeshjes së Ligës së Kampionëve ndaj Paris Saint-Germain. Kapiteni bavarez shpjegoi se forma dhe shëndeti janë prioriteti kryesor: “Duhet të sigurohem që të qëndroj i shëndetshëm, në formë dhe të performoj mirë. Pastaj, sigurisht, mund të flasim për kontratën". Neuer po e trajton këtë çështje me qetësi dhe nuk ka vendosur një afat për zgjatjen. “Po marr kohën time dhe qëndroj plotësisht i relaksuar, të paktën gjatë dimrit. Ka shumë komponentë të përfshirë dhe çdo gjë luan një rol”, deklaroi portieri gjerman. Portieri i njohur duket se do të marrë vendimin në mënyrë të matur, duke u fokusuar kryesisht te rezultatet dhe performanca e skuadrës në këtë pjesë të sezonit. /Telegrafi/