Ferizaj ruan një pjesë të historisë, restaurimi i Kishës “Engjëlli i Mirë” drejt përfundimit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se po vazhdojnë me intensitet punimet për restaurimin e Kishës Katolike “Engjëlli i Mirë” në Ferizaj, një ndër monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe fetare të qytetit. Sipas MKRS-së, projekti ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e këtij objekti me vlera të veçanta historike, arkitekturore dhe shpirtërore, i cili përbën një simbol të rëndësishëm të identitetit kulturor të Ferizajt, përcjell Telegrafi. Punimet po realizohen me dinamikë të lartë, ndërsa pritet që pas përfundimit, kisha të rifitojë plotësisht pamjen e saj origjinale dhe të vazhdojë të shërbejë si një qendër e trashëgimisë kulturore e fetare për komunitetin lokal. Ky investim i MKRS-së vlerësohet si një hap i rëndësishëm në përpjekjet për mbrojtjen e monumenteve historike dhe për ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore të vendit. / Telegrafi /