Policia e Ferizajt apelon për kujdes në rrugët malore për shkak të reshjeve të shiut

Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë thirrje për kujdes të shtuar për të gjithë shoferët që qarkullojnë në rrugët malore të rajonit, veçanërisht në akset Shtërpcë–Brezovicë, Shtërpcë–Prevallë dhe Kaçanik–Hani i Elezit–Glloboçicë, për shkak të kushteve të vështira atmosferike. Sipas njoftimit, reshjet e shiut kanë shkaktuar rrugë të lagështa, dukshmëri të kufizuar dhe rrezik të shtuar për aksidente trafiku. Në disa segmente malore mund të ketë shembje gurësh, rrëshqitje dhe pengesa të tjera që mund të rrezikojnë qarkullimin e automjeteve, përcjell Telegrafi. Policia apelon tek shoferët që të tregojnë kujdes të veçantë gjatë ngasjes dhe të respektojnë këto këshilla për siguri në trafik: Mbani dritat e ndezura për të përmirësuar dukshmërinë dhe për t’u bërë më të dukshëm për pjesëmarrësit e tjerë. Zvogëloni shpejtësinë, pasi rrugët e lagështa kërkojnë distancë më të madhe frenimi. Shmangni përdorimin e telefonit dhe shpërqendrimet gjatë ngasjes. Mbani distancë të mjaftueshme nga automjetet përpara. Në komunikatë theksohet se kushtet aktuale të motit kërkojnë përgjegjësi dhe kujdes më të madh në trafik, ndërsa apeli i policisë është i qartë: “Siguria është në duart tuaja.” Për çdo rast nevoje, incident apo aksident në trafik, qytetarët mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës në numrin 192, ose të paraqiten në stacionin më të afërt policor. / Telegrafi /