Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, është plot lëvdata për ish-lojtarin e tij, Florian Wirtz, i cili ende nuk e ka rifituar formën e dy sezoneve të tij te Bayer Leverkusen te Liverpooli. Bayer Leverkusen në sezonin 2023/24, fitoi kurorën e dyfishtë nën udhëheqjen e Alonsos, teksa arriti titullin e Bundesligës pa humbje. Wirtz shënoi 18 gola dhe dha 20 asistime në të gjitha garat atë sezon dhe u shpall lojtari më i mirë i Bundesligës, teksa ka shënuar 34 gola dhe ka dhënë 35 asistime në dy sezonet e fundit me klubin gjerman. Këtë verë ai u transferua te Liverpool, i cili pagoi 125 milionë euro kompensim për të. Ai ka dhënë tre asistime në 14 ndeshje për kampionët anglezë, por ende nuk ka shënuar. Megjithatë, ish-trajneri i tij, Alonso, me të cilin do të përballet sot në Ligën e Kampionëve, e ka lavdëruar Wirtzin. "Ardhja te Liverpooli është një ndryshim i madh për të dhe i duhet kohë për t'u përshtatur. Ai është një lojtar i veçantë, ka cilësi, karakter dhe është shumë konkurrues”, ka thënë fillimisht Alonso. “Ndoshta ai është arsyeja pse mora punën te Real Madridi dhe i jam shumë mirënjohës", përfundoi trajneri i Real Madridit përpara ndeshjes së sotme jashtë fushe kundër Liverpoolit në Ligën e Kampionëve. Alonso e di për çfarë flet, pasi ka kaluar pesë vjet si lojtar te Liverpooli, duke luajtur 210 ndeshje për Reds. /Telegrafi/