Një ditë më parë Policia e Kosovës (PK) kishte njoftuar se të shtunën ka marrë informacione se një qytetar i komunitetit serb është plagosur dhe më pas rrëmbyer brenda territorit të Republikës së Kosovës nga pjesëtarë të xhandarmërisë serbe, i cili rast po hetohet në bashkëpunim me institucionet përkatëse të sigurisë, ndërsa deri më tani nuk është publikuar një raport zyrtar për rrethanat e plota të ngjarjes. Në lidhje me këtë eksperti i sigurisë dhe ish-kryeinspektor i Shërbimit të Inteligjencës së Kosovës, Burim Ramadani, e ka cilësuar këtë ndërhyrje si shenjë të qartë të provokimeve të vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës. Foto: Arkiv “Inkurzioni i Xhandarmërisë së Serbisë brenda territorit të Kosovës është tregues i qartë se Serbia edhe më tutje dhe vazhdimisht provokon destabilitet. Sidomos në kohët kur protestat e studentëve në Novi Sad e në Beograd lëkundin pushtetin autoritar të Vuçiqit, lëvizja destabilizuese e Serbisë drejtohet kah Kosova", ka thënë ai. Sipas tij, shteti i Kosovës duhet të jetë proaktiv në fushën e sigurisë dhe të diplomacisë. Komunikimi intensiv me NATO/KFOR ka qenë dhe është domosdoshmëri praktike dhe përmbajtjesore. “Kosova dhe NATO duhet të përmirësojnë raportet e ndërveprimit në kohë reale 24/7. Për këtë është e domosdoshme arritja e aranzhmaneve të reja operacionale. Por, për të arritur këtë objektiv, qasja politike e Kosovës duhet të ndrrojë, duke bërë Kosovën aktive e jo reaktive”, vlerësoi Ramadani. Ndërkohë, njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, në një deklaratë për Telegrafin, e ka cilësuar këtë akt si një cenim të drejtpërdrejtë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. “Një qytetar i Republikës së Kosovës është rrëmbyer në brendësi të territorit të Kosovës, ashtu siç quhet në pikën zero. Kjo bie ndesh me Marrëveshjen e Kumanovës dhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, ku forcë garantuese e sigurisë tokësore dhe ajrore është KFOR-i”, ka deklaruar Islami. Dyshohet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer brenda territorit të Kosovës nga xhandarmëria serbe Ai ka theksuar se KFOR-i, si derivat i Aleancës Veriatlantike, është përgjegjës për sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës, sidomos në zonat kufitare. “Për çdo tendencë apo sulm që ndodh brenda territorit të Republikës së Kosovës, KFOR-i është përgjegjës për të reaguar”, shtoi ai. Islami ka kërkuar që Policia Kufitare të forcojë kapacitetet operacionale dhe teknologjike për të parandaluar incidente të tilla, përmes rritjes së mbikëqyrjes dhe bashkëpunimit ndërinstitucional. “Në këtë rast dhe në raste të tilla duhet të mbisundojë arsyeja. Policia Kufitare duhet ta rrisë vigjilencën dhe të kërkojë ndihmë nga institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të përmirësuar kontrollin e kufirit, qoftë përmes dronëve apo pajisjeve të tjera teknologjike”, ka thënë Islami. Ai shtoi se kufiri Kosovë–Serbi, me gjatësi mbi 300 kilometra, është një vijë e gjatë dhe me terren të vështirë, prandaj është e pamundur të kontrollohet 100 për qind në çdo moment. Duke iu referuar deklaratave të avokatit të personit të rrëmbyer, Islami tha se individë të kamufluar, pa shenja identifikuese dhe të armatosur, kanë hyrë me tri automjete në territorin e Kosovës, kanë plagosur qytetarin dhe më pas e kanë rrëmbyer duke e dërguar në Serbi. Ky është serbi që u plagos nga xhandarmeria serbe, avokati Niniq fajëson Vuçiqin: A menduat se kjo do të fshihej? “Kjo është një shkelje e drejtpërdrejtë e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, theksoi ai. Sipas tij, pushteti aktual në Beograd, nën udhëheqjen e Aleksandar Vuçiqit, nuk bën dallime etnike ndaj atyre që i konsideron kundërshtarë të politikave serbe. “Serbia nuk zgjedh metoda. Për regjimin e Vuçiqit, nuk ka rëndësi nëse dikush është shqiptar, serb, boshnjak apo ashkali – të gjithë ata që bashkëpunojnë me institucionet e Republikës së Kosovës konsiderohen armiq”, tha Islami. Islami akuzoi Listën Serbe se po vepron në koordinim me regjimin e Vuçiqit për të destabilizuar situatën në veri të Kosovës. “Përgjegjëse për këtë akt është Lista Serbe, e cila në bashkëpunim dhe bashkërendim me regjimin e Vuçiqit, po organizon veprime të tilla brenda territorit të Kosovës”, ka përfunduar Islami. KFOR-i deklarohet pas rrëmbimit të shtetasit të Kosovës në kufi nga xhandarmëria serbe Ndërkaq, në lidhje me këtë ka reaguar edhe KFOR-i duke bërë të ditur se është në dijeni për rastin, ndërsa ka theksuar se situata e sigurisë përgjatë vijës kufitare administrative mbetet e qetë. /Telegrafi/