“The New York Times” më 1934: Shqipëria e vogël në lojën e madhe diplomatike

Herman Bernstein (1876–1935) ishte ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, nga shkurti i vitit 1930 deri në shtator të vitit 1933 - një periudhë e shënuar nga përpjekjet e Shqipërisë nën mbretin Zog për të ruajtur pavarësinë mes Italisë dhe Jugosllavisë. Bernstein lindi në Nojshtat-Shirvint - sot Kudirkos Naumiestis, në Lituani - në një familje hebreje, dhe emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1893. Atje punoi si gazetar, shkrimtar dhe përkthyes (i letërsisë ruse), duke kontribuar në The New York Evening Post , The Nation dhe The Independent . Ishte redaktor i The Jewish Tribune dhe Jewish Daily Bulletin dhe udhëtoi në Evropë si korrespondent i The New York Times ku dokumentoi gjendjen e hebrenjve në Evropën Lindore dhe mbuloi Revolucionin Rus për New York Herald . Bernstein u takua me Herbert Hooverin në Konferencën e Paqes në Paris më 1919 dhe e mbështeti atë në kandidaturën për president në vitin 1928. Në këmbim, Hooveri e emëroi ambasador në Shqipëri. Bernstein vdiq në Shefild të Masaçusetsit. Arkivat e tij, përfshirë disa shkrime mbi Shqipërinë, ruhen në Institutin YIVO për Kërkime Hebraike në Nju-Jork. Herman Bernstein kishte marrëdhënie të mira me mbretin Zog. Në artikullin e mëposhtëm, të botuar në New York Times , ai hodhi dritë mbi pozitën e vështirë të Shqipërisë në përpjekjet për të balancuar marrëdhëniet mes Italisë, Jugosllavisë dhe Greqisë. Nga: Herman Bernstein [1] Përgatiti: Robert Elsie Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com Çështjet e saj në krizë, Shqipëria i ndjek me kujdes në lëvizjet e ndryshme të blloqeve që udhëhiqen nga Franca dhe Italia. Shqipëria konsiderohet si një nga zonat më serioze të rrezikut në Evropë. Një luftë e re mund të fillojë atje nëse interesat politike dhe ushtarake të kombeve të tjera, për Shqipërinë, vazhdojnë të bien ndesh me njëri-tjetrin. Për shkak të pozitës së saj gjeografike, ky vend i vogël mban çelësin e Adriatikut dhe ka qenë mollë sherri mes kombeve të ndryshme për shekuj me radhë. Nga pikëpamja strategjike, vija bregdetare e saj do të kishte vlerë të paçmuar për Italinë - në rast lufte. Italia prej disa vitesh ka hedhur shuma të mëdha në Shqipëri, për të ndihmuar në organizimin e ushtrisë, për të ndërtuar rrugë, ura dhe fortifikime. Në Ballkan besohet se përpjekja e Italisë për të militarizuar Shqipërinë është pjesë e programit të ambicies imperialiste - që i atribuohet Mussolinit - për të depërtuar në Ballkan, për të rimarrë rrugën e famshme romake Via Egnatia që kalon nëpër Shqipëri dhe Jugosllavi drejt Selanikut dhe Stambollit. Çdo lëvizje e Italisë në Shqipëri vëzhgohet me dyshim dhe shqetësim nga Franca, nga Antanta e Vogël dhe veçanërisht nga Jugosllavia. Gjatë disa viteve të fundit, ndihma financiare dhe udhëzimi ushtarak i ofruar nga Italia ndaj Shqipërisë, kanë shërbyer për të shtuar ndjenjën e nervozizmit në Ballkan dhe kanë bërë që Jugosllavia të ndërmarrë përgatitje të ethshme ushtarake për të luftuar depërtimin e frikshëm italian në Ballkan. Një ushtar i fuqive Shqipëria e vogël është bërë kështu një ushtar [figurë shahu] në lojën e dy blloqeve në konflikt në diplomacinë evropiane - njëri i udhëhequr nga Italia dhe tjetri nga Franca. Ajo ka përfituar deri-diku nga ky konflikt interesash dhe ka arritur të forcojë unitetin kombëtar, fillimisht me ndihmën e Jugosllavisë dhe më pas me ndihmën e Italisë. Cilado qofshin motivet e fshehta të këtyre kombeve, Shqipëria ka ruajtur me zgjuarsi dhe guxim pavarësinë e saj - edhe pse është detyruar të bëjë shumë sakrifica, lëshime dhe kompromise në këmbim të ndihmës materiale që ka marrë që nga përfundimi i luftës [së Parë Botërore]. Nëse rrugët dhe urat e ndërtuara me ndihmën e parave italiane ishin apo jo të destinuara për planet ushtarake të Italisë, ato tashmë i shërbejnë qëllimeve të dobishme ekonomike të Shqipërisë, duke vendosur komunikime normale mes pjesëve të ndryshme të këtij vendi të vogël malor. E pushtuar gjatë Luftës Botërore Gjatë luftës [së Parë Botërore], Shqipëria ishte skenë e shumë pushtimeve. Ushtritë greke, serbe, franceze, austro-hungareze dhe italiane luftuan njëra-tjetrën në Shqipëri, dhe kjo tokë e vogël u nda në disa zona të ndikimit të huaj, ndërsa populli iu nënshtrua privimeve dhe mjerimit të papërshkrueshëm. Ahmet Zogu, mbreti i tanishëm, u internua në Vjenë gjatë gjithë periudhës së luftës. Pavarësia e Shqipërisë - e shpallur në vitin 1912 - u ndërpre. Në Konferencën e Paqes në Paris, kërkesat e saj fillimisht u injoruan plotësisht. Delegacioni paqësor shqiptar, i kryesuar nga Mehmed Bej Konica, vëllai i ministrit aktual shqiptar [ambasador] në Shtetet e Bashkuara, vendosi shpresat te presidenti Wilson dhe iu drejtua delegacionit amerikan që Shtetet e Bashkuara, si fuqi e paanshme, të merrnin mandatin për Shqipërinë. Jugosllavia, Greqia dhe Italia ishin të etshme për të siguruar “sferat e tyre të ndikimit”. Në vitin 1919 u arrit një marrëveshje midis [kryeministrave] Clemenceau, Lloyd George dhe Nitti, në mungesë të përfaqësuesit amerikan, që i jepte Italisë mandatin mbi Shqipërinë nën Lidhjen e Kombeve, dhe ndante një pjesë të Shqipërisë së Veriut për Jugosllavinë. Shqiptarët protestuan kundër kësaj zgjidhjeje të imponuar që do t’i privonte nga pavarësia dhe do të copëtonte vendin e tyre. Protesta e Wilsonit Presidenti Wilson kundërshtoi fuqimisht marrëveshjen me arsyetimin se ajo ishte arritur në mungesë të përfaqësuesit amerikan dhe se synonte “t’i ndante shqiptarët, përkundër protestave të tyre të fuqishme, midis tri fuqive të ndryshme të huaja”. Pavarësia e Shqipërisë u shpëtua kur Qeveria amerikane deklaroi se “çështjet shqiptare nuk duhet të përfshihen në diskutimet e përbashkëta të propozuara midis Italisë dhe Jugosllavisë, dhe presidenti duhej të ripohonte se ai nuk mund të aprovojë, në asnjë mënyrë, ndonjë plan që ia caktonte Jugosllavisë rajonet veriore të Shqipërisë - si kompensime territoriale për ato që i ishin mohuar diku tjetër ...”! Dhe, “mbetej që Italia dhe Jugosllavia të zgjidhnin mosmarrëveshjet e tyre, nëse munden, përmes negociatave të ndara, me kushtin që nuk duhej të arrinin marrëveshje në kurriz të Shqipërisë”. Shqipëria u pranua si anëtare me të drejta të plota e Lidhjes së Kombeve në dhjetor të vitit 1920, pas një fjalimi dramatik në mbrojtje të pavarësisë shqiptare nga Lord Robert Cecil - përballë protestave të disa shteteve ballkanike. Një vit më vonë, ambasadorët e Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Japonisë, “duke pranuar se shkelja e këtyre kufijve ose e pavarësisë së Shqipërisë mund të përbënte rrezik për sigurinë strategjike të Italisë”, përfunduan një marrëveshje sipas së cilës “nëse Shqipëria në ndonjë moment do ta kishte të pamundur të ruante integritetin e saj territorial, ajo do të ishte e lirë t’i drejtohej Këshillit të Lidhjes së Kombeve për ndihmë të huaj”; se “qeveritë e Perandorisë Britanike, Francës, Italisë dhe Japonisë do të vendosin që, në rastin e përmendur më sipër, do t’i udhëzonin përfaqësuesit e tyre në Këshillin e Lidhjes së Kombeve që të rekomandonin që rivendosja e kufijve territorialë të Shqipërisë t’i besohej Italisë”. Megjithëse tashmë anëtare e Lidhjes së Kombeve, Shqipëria nuk u konsultua fare në lidhje me këtë marrëveshje. Ajo protestoi kundër saj, duke deklaruar se nuk do ta njihte vlefshmërinë e saj. Deri më sot, Italia e konsideron Marrëveshjen e Ambasadorëve si një instrument detyrues ndërkombëtar që njeh interesat e saj të veçanta në Shqipëri, por pakti shihet me dyshim dhe frikë nga fqinjët e afërt të Shqipërisë në Ballkan; marrëveshja ka shërbyer kështu si burim përplasjeje, që prej asaj kohe, dhe e ka bërë Shqipërinë zonë të ndjeshme siç është edhe sot. Në vitin 1920, italianët ende mbanin të pushtuar Vlorën, në Shqipërinë e Jugut. Udhëheqësit shqiptarë, të vendosur për ta çliruar vendin nga sundimi i huaj, detyruan ushtrinë italiane të tërhiqej. Më pas nisën të organizonin shtetin dhe të vendosnin rendin në vend. Ahmet Zogu ishte një nga udhëheqësit më të shquar të rinj, dhe qeveria ku ai ishte ministër i Brendshëm - dhe më pas kryeministër - u identifikua me emrin e tij. Në vitin 1924, regjimi i Zogut u përmbys nga një revolucion i udhëhequr nga peshkopi shqiptar, Fan Noli. Ahmet Zogu, së bashku me disa nga bashkëpunëtorët e tij, u largua me shpejtësi në Beograd - për strehim dhe ndihmë. Qeveria revolucionare e Fan Nolit zgjati nga qershori deri në dhjetor të vitit 1924, kur Zogu - i cili ishte dënuar me vdekje prej saj - u kthye fitimtar në Tiranë në krye të një ushtrie të vogël që kishte organizuar në Jugosllavi. Brenda një muaji pas kthimit në Shqipëri, Zogu u zgjodh për shtatë vjet president i Republikës Shqiptare. Qeveria e tij filloi të riorganizonte dhe modernizonte vendin. Por, shpërthimet e pakënaqësisë ndodhnin herë pas here. Jugosllavët, duke qenë se e kishin ndihmuar Zogun për të rimarrë pushtetin, prisnin prej tij që të kishte një orientim të fuqishëm pro-jugosllav, ose më saktë - anti-italian. Duke kuptuar rrezikun e madh që një politikë e tillë paraqiste për vendin e tij, presidenti Zog u përpoq të ndiqte një rrugë të mesme - të ishte pro-shqiptar. Pakti i Tiranës Papritmas, në vitin 1926, ndodhi një kryengritje e rëndë në Shqipërinë e Veriut. Ahmet Zogu ishte i bindur se ajo ishte nxitur nga Jugosllavia. Si Italia ashtu edhe Jugosllavia i kishin propozuar atij një pakt miqësie dhe sigurie. Kjo kryengritje e detyroi të merrte një vendim të shpejtë në favor të Italisë dhe, më 27 nëntor 1926, ai nënshkroi një pakt pesëvjeçar miqësie dhe sigurie midis Shqipërisë dhe Italisë. Ky dokument, i njohur si Pakti i Tiranës, deklaronte se Italia dhe Shqipëria, “në funksion të forcimit të marrëdhënieve të ndërsjella të miqësisë dhe sigurisë ... njohin se çdo trazim i drejtuar kundër status quo -së politike, juridike dhe territoriale të Shqipërisë, është në kundërshtim me interesat e tyre reciproke”. Nënshkrimi i Paktit të Tiranës i futi në alarm dhe ankth fqinjët e Shqipërisë. Një vit më vonë, menjëherë pas nënshkrimit të Traktatit Franko-Jugosllav, u lidh një traktat aleance midis Italisë dhe Shqipërisë për një periudhë prej njëzet vjetësh. Shqipërisë iu dha një hua prej 50 milionë franga ar nga Italia, përmes një grupi financiar italian të njohur si SVEA. Banka Kombëtare e Shqipërisë u themelua nën mbikëqyrjen e këtij grupi. Nisi një program i madh i veprave publike dhe ato u financuan nga kjo hua. Organizatorët ekonomikë, inxhinierët dhe sipërmarrësit italianë erdhën në Shqipëri. Po ashtu, mbërritën organizatorët dhe instruktorët ushtarakë italianë. U ndërtuan rrugë, ura dhe ndërtesa publike. Çdo lëvizje në Ballkan vëzhgohet si nën një mikroskop. Jugosllavët i panë me dyshim përpjekjet e italianëve në Shqipëri. Ata i konsideronin traktatet italo-shqiptare, huan dhe ardhjen e organizatorëve dhe instruktorëve italianë si pjesë të një skeme politike dhe ushtarake për të siguruar një bazë të fortë në Adriatik, me synimin për të depërtuar në Ballkan. Beogradi e konsideronte një program të tillë si sfidë të drejtpërdrejtë ndaj Jugosllavisë. Situata ishte e rrezikshme. Më 1 shtator 1928, presidenti Zog u shpall Mbret i Shqiptarëve nga një Asamble Kushtetuese, dhe Republika u bë Mbretëri. Gjenerali italian, Alberto Pariani, ndihmoi në organizimin dhe trajnimin e Ushtrisë Shqiptare. Xhandarmëria u organizua dhe drejtohej nga gjenerali britanik, Sir Jocelyn Percy. Gjykatat e drejtësisë u riorganizuan. U hapën shkolla të reja. U vendos një ritëm më i shpejtë në këtë vend të vogël, ku në të kaluarën “gjërat mund të arriheshin vetëm nëse kishe mjaft duhan dhe durim”. Kur përfundoi periudha pesëvjeçare e Paktit të Miqësisë dhe Sigurisë, mbreti Zog refuzoi ta rinovonte, pavarësisht presionit të raportuar nga Mussolini. Mbreti Zog deklaroi se traktati nuk ishte më i nevojshëm, pasi ai nuk kishte nevojë për ndonjë fuqi të jashtme që ta mbronte. Ai gjithashtu theksoi se traktati i tij i aleancës me Italinë, i cili do të mbetej në fuqi për disa vite, mbulonte të gjitha pikat që kishin të bënin me bashkëpunimin miqësor mes dy vendeve. Situata kritike financiare Ndërkohë, gjendja ekonomike dhe financiare e Shqipërisë kishte arritur një fazë kritike. Italia ofroi të ndihmonte sërish Shqipërinë duke i dhënë dhjetë hua vjetore me nga 10 milionë franga ar secila. Fqinjët e Shqipërisë u alarmuan, duke besuar se propozimi i Italisë nuk ishte gjë tjetër veçse një subvencion i ri për qëllime ushtarake. Huat vjetore do të shpenzoheshin nën mbikëqyrjen e një komisioni të përzier shqiptaro-italian. Shqipëria pranoi dhe dy huat e para vjetore u dhanë, megjithëse jo të plota. Huaja e tretë vjetore, këtë vit u mbajt pezull me arsyetimin se Shqipëria nuk po përmbushte kushtet e marrëveshjes për “bashkëpunim miqësor”. Kur Italia i sugjeroi mbretit Zog, rreth një vit më parë, se një bashkim doganor midis Italisë dhe Shqipërisë do të ishte i pranueshëm për Italinë dhe do të ishte shumë i dobishëm për Shqipërinë, mbreti Zog e hodhi poshtë këtë sugjerim, duke kuptuar se një marrëveshje e tillë jo vetëm që do të irritonte fqinjët ballkanikë, por edhe mund të shkaktonte trazira në të gjithë Evropën. Më pas, Italia u irritua nga një ndryshim i befasishëm në Kushtetutën Shqiptare që çoi në mbylljen e disa shkollave të huaja dhe fetare. Qeveria shqiptare shpjegoi se kjo masë ishte e nevojshme, për momentin, për të konsoliduar unitetin kombëtar përmes sistemit të shkollës publike dhe për të parandaluar propagandën e huaj kundër kombit. Italianët refuzuan të pranonin drejtorët e tillë administrativë në shkollat e tyre. Ata i mbyllën shkollat dhe i dërguan mësuesit e tyre sërish në Itali. Zgjuarsia e ligjit të ri shqiptar për sistemin shkollor u vu në pikëpyetje, duke pasur parasysh mungesën aktuale të mësuesve të kualifikuar shqiptarë. Asnjë ndihmë më nga Italia Qeveria italiane, duke qenë plotësisht në dijeni të gjendjes së dëshpëruar financiare të Shqipërisë, adoptoi një politikë të pritjes së kujdesshme, duke refuzuar çdo ndihmë të mëtejshme financiare. Importet e Italisë nga Shqipëria vazhduan të bien. Italianët mohuan se dëshironin ndonjë koncesion të ri në Shqipëri, se donin kontroll mbi ushtrinë, xhandarmërinë apo degë të tjera të qeverisë. Ata thanë se gjithçka që kërkonin ishte miqësia, bashkëpunimi miqësor dhe ndikimi kulturor. Mbreti Zog refuzoi të rihapte shkollat, por bëri një gjest të vullnetit të mirë duke urdhëruar që gjuha italiane të bëhej e detyrueshme në shkollat e mesme shqiptare. Kjo nuk i kënaqi plotësisht italianët dhe ata vazhduan të vononin huan e premtuar vjetore. Më pas, mbreti Zog urdhëroi një ulje drastike në buxhetin e vitit 1934. Ai i uli shpenzimet për ushtrinë pothuajse përgjysmë. Ai gjithashtu ia dhuroi shtetit një të katërtën e rrogës së tij dhe të shpenzimeve të familjes mbretërore për këtë vit. E gjithë kjo ndihmoi në rritjen e popullaritetit të mbretit Zog në mesin e shqiptarëve, por Roma ishte ende e zemëruar. Problemi aktual Shqipëria, duke e ditur mirë se shpresa e saj e vetme për rimëkëmbje qëndron në zhvillimin paqësor, po përpiqet të dalë nga ndërlikimet politike që rrezikojnë marrëdhëniet miqësore me fqinjët ballkanikë. Italia, Jugosllavia dhe Greqia kanë deklaruar vazhdimisht se janë kundër shkeljes së pavarësisë së Shqipërisë. Ndërkohë, vazhdon beteja diplomatike e zgjuarsisë midis kryeministrit Mussolini dhe mbretit Zog. Deri tani, mbreti Zog duket se ka dalë fitimtar, për shkak se forca e Shqipërisë qëndron në dobësinë e saj. Së fundmi, ajo ka lidhur një traktat të favorshëm tregtar me Greqinë, dhe tani po negocion një traktat të ri tregtar me Jugosllavinë. Këto janë shenja të qarta të një bashkëpunimi më të ngushtë mes Shqipërisë dhe fqinjëve të saj ballkanikë. Nëse Shqipëria arrin të vendosë marrëdhënie miqësore me fqinjët e saj ballkanikë, pa nxitur armiqësinë e Mussolinit, ky vend i vogël buzë Adriatikut, i quajtur “Toka e harruar e Evropës”, do të jetë në gjendje të zhvillojë në mënyrë paqësore dhe të suksesshme potencialin e saj bujqësor dhe ekonomik. /Telegrafi/ _________________ [1] Botuar në: The New York Times , New York, 28 janar 1934.