Pas vendimit të Lëvizjes Vetëvendosje për mandatarin e ri për kryeministër, të cilit iu ka besuar Glauk Konjufcës ka reaguar deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra. Deliu-Kodra përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se mandatari i ri pa shumicë është thjesht një lojë për të fituar kohë. “9 muaj dështim nuk mund të mbulohet me taktika politike. Zgjedhjet janë zgjidhja”, ka shkruar ajo. Në një tjetër postim ka thënë se “kandidati i nominuar pët krijimin e Qeverisë së Kosovës nga radhët e LVV-së, Glauk Konjufca, sapo e pranojë që nuk i ka numrat për votimin e kabinetit të tij, duke deklaruar se ‘i takon opozitës a dëshiron që të kemi dy palë zgjedhje, apo ta votojë Qeverinë e Lëvizjes Vetëvendosje, deri në kohë e rizgjedhjes së Presidentit ‘ “, ka thënë Deliu-Kodra. Tutje ajo ka pyetur: “Si ka mundësi që Presidentja e vendit të mandatoj një kandidat i cili ende pa shkuar në Kuvendin e Kosovës, thotë se krijimi apo jo i Qeverisë, varet nga votat e opozitës?!”. /Telegrafi/