Përfundon riparimi i defektit në rrugën “UÇK” në Rahovec

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka njoftuar se ekipet e saj teknike kanë përfunduar me sukses punimet për rregullimin e defektit në gypin kryesor të çelikt me diametër fi 400 në rrugën “UÇK” në Rahovec. Pas ndërhyrjes së realizuar me intensitet dhe kujdes teknik, furnizimi me ujë është rilëshuar për konsumatorët e Zonës 1 të qytetit të Rahovecit, duke rikthyer normalitetin në shërbimet e ujësjellësit. Nga kompania është bërë e ditur se punimet janë kryer brenda afatit të parashikuar, ndërsa janë marrë të gjitha masat për të siguruar cilësinë dhe qëndrueshmërinë e rrjetit pas riparimit, përcjell Telegrafi. Ndërprerje të furnizimit me ujë në Rahovec KRU “Gjakova” ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin e treguar gjatë ndërprerjes së përkohshme të furnizimit me ujë dhe ka theksuar se ekipet teknike janë në gatishmëri të vazhdueshme për të reaguar ndaj çdo defekti që mund të paraqitet në rrjetin e ujësjellësit. Ky intervenim, sipas kompanisë, është pjesë e angazhimeve të përditshme për përmirësimin e shërbimeve dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë të pijshëm për qytetarët e komunës së Rahovecit. / Telegrafi /