Capello i bindur: Roma do të jetë befasia e sezonit në Serie A

Pas humbjes 1–0 në 'San Siro' ndaj Milanit, që ishte e treta në këtë kampionat për Romën, skuadra e Gasperinit u vlerësua për shpirtin luftarak dhe vendosmërinë në fushë. Edhe pse verdhekuqtë krijuan shumë raste, penalltia e humbur nga Dybala rezultoi vendimtare në fatin e takimit. Legjenda e futbollit italian, Fabio Capello, foli me tone pozitive për performancën e Romës, duke e konsideruar ekipin si një nga befasitë e sezonit. “Roma në vendet e larta rastësisht? Jo, ndaj Milanit tregoi se e meriton. Është skuadër që ka në ADN atë që kërkon Gasperini, vendosmëri, dëshirë dhe sakrificë. Edhe Soule e Dybala vrapuan, e i bënë presion lart kundërshtarit. Kjo është shenja e futbollit të Gasperinit. Sipas meje, kjo Romë do të jetë befasia e sezonit", tha Capello. Megjithatë, Capello nuk la pa përmendur edhe një aspekt taktik që, sipas tij, ndikoi në rezultat. “Gasperini mund të fuste një sulmues më herët. Krijoi shumë harkime dhe topa të lartë, por mungonte një goditës i vërtetë. Ndryshe nga ndeshjet e tjera, Roma nuk ishte asnjëherë vërtet e rrezikshme në këto situata, edhe sepse Milani ishte përgatitur mirë në këtë drejtim", përfundoi Capello. Pavarësisht humbjes, Capello theksoi se Roma po ecën në drejtimin e duhur, duke treguar karakter dhe stil loje të qartë që pasqyron plotësisht filozofinë e Gasperinit. /Telegrafi/