Të armatosur lëviznin me mjet të blinduar me targa ruse, arrestohen dy të rinj në Durrës

Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Blindi”, duke arrestuar në flagrancë dy persona që qarkullonin të armatosur me një automjet të blinduar me targa ruse. Operacioni u organizua pas sigurimit të informacionit në rrugë operative për dy shtetas që lëviznin me armë zjarri në automjet. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës ndërhynë menjëherë, duke ndaluar automjetin e blinduar që drejtohej nga shtetasi E. D., 28 vjeç, me pasagjer E. B., 29 vjeç, të dy banues në Durrës. “Në përfundim të veprimeve hetimore, u arrestuan në flagrancë: E. D., 28 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; E. B., 29 vjeç, për veprën penale ‘Moskallëzimi i krimit’”, njofton policia. Gjatë kontrollit të automjetit, policia sekuestroi një armë zjarri pistoletë me krehër dhe fishekë, targën ruse të dyshuar si të falsifikuar, një shumë parash, 3 aparate celularë dhe makinën e blinduar me të cilin qarkullonin të arrestuarit. /A2 Televizion/