Këngëtarja amerikane, Halsey, u shtrua në urgjencë pas një problemi shëndetësor menjëherë pas koncertit të saj në Boston. Artistja 31-vjeçare njoftoi përmes Instagram-it se kaloi natën nën kujdes mjekësor deri në orën 6 të mëngjesit, por ishte e vendosur të vazhdonte performancën e planifikuar në MGM Music Hall. “Pas shfaqjes së djeshme isha në urgjencë deri në mëngjes, por tani ndihem shumë më mirë dhe jam gati të performoj sonte!”, shkroi ajo në rrjetet sociale, duke falënderuar publikisht stafin e spitalit Mass General për kujdesin, shkruan DailyMail. Edhe pse nuk dha detaje mbi sëmundjen, Halsey është treguar më parë e hapur për gjendjen e saj shëndetësore. Në vitin 2022 ajo zbuloi se ishte diagnostikuar me lupus SLE dhe një çrregullim të rrallë të qelizave T, ndërsa në shtator të vitit të kaluar përfundoi një trajtim kimioterapie. Aktualisht, këngëtarja e hiteve “Without Me” dhe “Bad at Love” është në mes të turneut të saj “Back to Badlands”, me koncerte në SHBA dhe më pas në Mbretërinë e Bashkuar e Australi. Ajo tha se ky turne është një rikthim emocional tek rrënjët e saj artistike dhe një reflektim mbi rritjen personale përgjatë viteve. /Telegrafi/