Musaj: Viktimat e meritojnë drejtësinë - Kosova ka strategji për drejtësi tranzicionale, por zbatimi mbetet sfidë

Në episodin më të ri të “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Mehmet Musaj, Menaxher i Lartë në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT), ka folur për rolin e viktimave, shoqërisë civile dhe mediave në zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Drejtësi Tranzicionale në Kosovë. Sipas tij, drejtësia tranzicionale është proces njerëzor dhe shoqëror, që kërkon bashkëpunim ndërmjet institucioneve, OJQ-ve dhe qytetarëve, për të ndërtuar një të ardhme të bazuar në të vërtetën dhe dinjitetin e viktimave. “Ne e kemi një strategji për ballafaqim me të kaluarën, një strategji për drejtësi tranzicionale, sepse viktimat – nëse asgjë tjetër – e meritojnë drejtësinë. Qofshin ato viktima civile, pa dallim feje apo përkatësie etnike. Kjo ka qenë një nga arsyet kryesore për hartimin e saj,” tha Musaj. Ai shtoi se kjo strategji është rezultat i një procesi të gjatë dhe gjithëpërfshirës, por në zbatim ka ende boshllëqe. “Strategjia e përmend shumë mirë në hyrjen e saj se ka qasje gjithëpërfshirëse, por në mendimin tonë kjo qasje nuk reflektohet plotësisht në tekstin e mëtejmë të dokumentit strategjik,” tha ai, duke shtuar se shoqëria civile ka ngritur këtë si shqetësim edhe përballë donatorëve dhe institucioneve ndërkombëtare që mbështesin procesin. Musaj theksoi se drejtësia tranzicionale nuk mund të kuptohet pa përfshirjen e shoqërisë civile dhe mediave, të cilat kanë luajtur rol kyç në dokumentimin e rasteve dhe ndërtimin e një narrative njerëzore për të kaluarën. “Roli i mediave dhe shoqërisë civile është thelbësor. Mënyra se si flasim për të kaluarën, gjuha që përdorim dhe hapësira që u japim viktimave ndikon drejtpërdrejt në mënyrën si qytetarët e kuptojnë drejtësinë,” tha Musaj në "Përballje Podcast" me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu. Ai kujtoi se KRCT ka qenë një nga organizatat e para që ka filluar punën pas luftës, duke ofruar mbështetje psikosociale, ligjore dhe mjekësore për viktimat e torturës dhe dhunës seksuale. “Në atë kohë nuk njiheshin ende konceptet e drejtësisë tranzicionale, por ne tashmë punonim mbi parimin e reparacionit dhe rehabilitimit. E drejta për rehabilitim është një nga shtyllat kryesore të drejtësisë tranzicionale,” theksoi ai. Musaj shtoi se Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që ka një strategji të tillë, çka tregon vullnetin institucional për ta trajtuar të kaluarën në mënyrë të organizuar. “Kjo është rezultat i punës së përbashkët të institucioneve dhe OJQ-ve që, që nga viti 2010, kanë kërkuar ndërtimin e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe institucionale ndaj drejtësisë tranzicionale,” tha ai. Musaj thotë se viktimat duhet të jenë qendra e procesit, jo vetëm në deklarata. “Nuk mjafton t’i vendosësh viktimat në qendër në letër. Duhet t’i dëgjosh, t’u japësh zë dhe t’u mundësosh të jenë pjesë e vendimmarrjes. Vetëm kështu drejtësia ka kuptim,” tha ai. Sipas tij, KRCT ka trajnuar ndër vite gjyqtarë, prokurorë dhe policë hetues me qasje të ndjeshme ndaj traumës, për të shmangur ritraumatizimin e viktimave gjatë procesit të drejtësisë. View this post on Instagram A post shared by Telegrafi.com (@telegrafi) “Ne kemi ndërtuar protokolle për intervistimin e viktimave dhe kemi krijuar hapësira miqësore për dëshmi. Në Gjykatën Themelore të Prishtinës kemi funksionalizuar një dhomë të sigurt, ku viktimat mund të dëshmojnë pa u ndjerë të ekspozuara apo të frikësuara,” tha Musaj. Sfida në zbatim dhe nevoja për vullnet politik Musaj vlerësoi se strategjia është hap i madh, por zbatimi mbetet sfidë, sepse kërkon vullnet të qartë institucional. “Strategjitë nuk janë dokumente obliguese. Zbatimi i tyre varet nga vullneti politik dhe institucional. Pa bashkëpunim të vazhdueshëm, procesi mund të mbetet në letër,” tha ai. - YouTube www.youtube.com Sipas tij, shoqëria civile ka kapacitetet dhe ekspertizën për të ndihmuar në zbatim dhe duhet të jetë pjesë e përhershme e këtij procesi. “Ne kemi qenë pjesë e të gjitha nismave, edhe kur nuk kemi pasur projekte apo fonde. Roli ynë është të jemi aty ku duhet, jo vetëm kur ka mbështetje financiare,” shtoi Musaj. Në fund, ai theksoi se drejtësia tranzicionale është për qytetarët dhe duhet të zbatohet me ta dhe për ta. “Ky podcast u realizua në bashkëpunim me Pro Peace. Pikëpamjet e shprehura në këtë podcast janë përgjegjësi e Telegrafi.com dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e Pro Peace”.