Skuadra e Struga Trim Lum vazhdon marshimin e saj bindës në elitën e futbollit vendor. Pas fitores në Kupë ndaj të njëjtit rival, struganët triumfuan sërish ndaj Makedonija Gj. P. me rezultatin e pastër 0-2, këtë herë në ndeshjen e javës së 12-të të kampionatit, njofton Telegrafi. Që nga minutat e para, mysafirët morën kontrollin e lojës në fushën e Gjorgje Petrovit. Me posedim të lartë dhe qarkullim të shpejtë të topit, ata i imponuan ritmin kundërshtarit që u përpoq të mbrohej dhe të kërcënonte përmes kundërsulmeve të rralla. Rastin më të mirë në pjesën e parë e pati Florian Roçi, por ndërhyrja vendimtare e Abdullait shpëtoi vendasit nga pësimi i hershëm. Megjithatë, presioni i Strugës dha rezultat në minutën e 32-të kur pikërisht Roçi, 18-vjeçari që po debutonte me ekipin, gjeti rrugën e rrjetës pas një aksioni të bukur të nisur nga Fal 0-1. Në pjesën e dytë, struganët vazhduan dominimin, dhe në minutën e 62-të, pas një ndërhyrjeje të gabuar ndaj Maleskit, referi akordoi penallti. Përgjegjësinë e mori Basiru Kompaore, i cili u tregua i saktë dhe vulosi rezultatin përfundimtar 0-2. Në vazhdim, ndeshja u menaxhua me maturi nga skuadra e Bledi Shkëmbit, që me këtë fitore ngjitet përkohësisht në krye të tabelës me 29 pikë, dy më shumë se Vardari. Ndërkaq, Makedonija Gj. P. mbetet në vendin e tetë me 14 pikë. Standings provided by Sofascore Në ndeshjen tjetër të zhvilluar në Shkup, Rabotniçki u mund nga Tikveshi me të njëjtin rezultat 0-2. Java e 12-të do të vazhdojë nesër me dy duele të tjera: Brera pret Sileksin, ndërsa Pelisteri përballet me Vardarin. Dueli Shkupi – Shkëndija do të luhet në një datë tjetër, për shkak se Shkëndija të enjten zhvillon ndeshjen e javës së tretë në kuadër të Ligës së Konferencës. /Telegrafi/