Sot në mesditë, në ambientet e Hotel Dukagjinit në Pejë, u mbajt takimi i hapjes së fushatës për balotazhin e zgjedhjeve komunale, ku të pranishëm ishin drejtues e struktura të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nga Peja. Në këtë ngjarje morën pjesë Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, si dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Armend Zemaj, përkrah Kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, i cili garon për një mandat të ri në krye të Komunës së Pejës. Takimi filloi në ora 13:00, ku përfaqësuesit e partisë dhe përkrahësit lokalë shprehën mbështetjen e plotë për vazhdimin e udhëheqjes së Gazmend Muhaxherit, duke e vlerësuar si garant të zhvillimit, stabilitetit dhe projekteve konkrete për qytetin. Në fjalimin e tij, Lumir Abdixhiku theksoi rëndësinë e Pejës si një ndër qytetet simbol të LDK-së dhe nënvizoi se suksesi i saj më 9 nëntor do të jetë dëshmi e besimit qytetar ndaj politikës së përgjegjshme e vizionare. Nga ana tjetër, Kryetari Muhaxheri falënderoi të gjithë përkrahësit për angazhimin e pandërprerë dhe theksoi se fushata e balotazhit do të jetë e bazuar në punë, transparencë dhe komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët. Atmosfera në sallë ishte entuziaste, ndërsa pjesëmarrësit u zotuan për një angazhim të përbashkët drejt fitores më 9 nëntor, duke e cilësuar Pejën si zemrën e fitores së LDK-së.