Një individ i llojit të shpendit Coftinari kokëbardhë (Gyps fulvus), i njohur ndryshe si Shkaba, është rehabilituar dhe lëshuar sërish në natyrë pas një trajtimi njëjavësh nga autoritetet dhe organizatat ekologjike. Shpendi ishte gjetur më 19 tetor 2025 në gjendje të rëndë fizike dhe shëndetësore në zonën buferike të Parkut Kombëtar “Sharri”, mbi fshatin Gotovush. Rastin e raportoi një anëtar i Shoqatës Ekologjike nga Shtërpca, dhe menjëherë u njoftua DAPK “Sharri”, e cila, në bashkëpunim me Shoqatën Ekologjike, siguroi strehimin, përkujdesjen veterinarie dhe ushqimin e nevojshëm për zogun. Pas ekzaminimeve, u konstatua se individi ishte në gjendje të vështirë për shkak të fluturimit të gjatë dhe mungesës së ushqimit disa javor. Me kujdesin e ofruar për një javë, zogut i është rikthyer gjendja e mirë fizike dhe shëndetësore. Më 24 tetor 2025, shpendi është lëshuar në zonën malore të Vërbeshticës, duke rikthyer atë në habitatin e tij natyror në mënyrë të suksesshme. Në aktivitetin e lëshimit morën pjesë, përveç zyrtarëve të DAPK “Sharri” dhe Shoqatës Ekologjike Shtërpcë, edhe pjesëtarët e KFOR-it Polak, ndërsa koordinimi u mbajt edhe me zyrtarët e Institutit për Mbrojtjen e Natyrës. / Telegrafi /