Mandatari i dytë i propozuar nga LVV për formimin e qeverisë, Glauk Konjufca ka thënë se nuk synon të bëjë marrëveshje koalicioni me partitë opozitare, por një bashkëpunim në mënyrë që Kosova të dalë nga kriza politike. “Nuk do të jetë një proces në të cilin ne do të kërkojmë ndonjë marrëveshje koalicioni me partitë politike, ideja ka qenë me kriju një qeveri të re me shmang zgjedhjet e menjëhershme dhe të provojmë të bashkëpunojmë me partitë politike parlamentare për ta miratuar buxhetin 2026”, tha Konjufca pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së ku u propozua për mandatar. Ai shtoi se nëse këto dyja nuk bëhen nuk do të ishte në të mirë të Kosovës dhe pikërisht për këtë LVV-ja e propozoi si mandatar sot. “Unë e pranova dhe e tëra që na mbetet është të shohim veprimin e presidentes së Republikës. Unë e thash nëse kjo nuk shmanget atëherë Kosova mund të ketë 5 palë zgjedhje brenda një viti, dhe kostoja është 40 milionë euro. Për t’i shmangur këto, kështu e definova pse është interes publik të shtetit të Kosovës, sepse ta keni parasysh se kur të arrijmë te momenti i presidentit nuk është i sigurt se një parlament i ardhshëm mund ta zgjidhë dhe prapë mund të kemi zgjedhje”, u shpreh Konjufca. Ish-kryeparlamentari i Kuvendit theksoi se për të shmangur dy palë zgjedhje, maturia shtetërore në këto rrethana dhe moment është që të kemi një qeveri së paku deri në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit dhe se kjo do ta përfshinte edhe buxhetin. “Nevojitet konsensus i të gjitha forcave. Besoj se do të reflektojnë opozita dhe do ta kemi bashkëpunimin pozitiv që këto dy gjëra të ndodhin, që të shmangen zgjedhjet në dhjetor dhe votimi i buxhetit. Do ta kërkoj bashkëpunimin, por jo për qeveri me koalicione, por t’i thirrin mendjes që këto gjëra të kalojnë e pastaj bëjmë bash çka të duam”, tha Konjufca. /Telegrafi/