Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka pranuar se është i shqetësuar për sulmuesin e tij kryesor Viktor Gyokeres, pasi suedezi pësoi një dëmtim muskulor gjatë fitores ndaj Burnley të shtunën. Topçinjtë rikthehen në fushë sonte në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Slavia Pragës, por do ta përballojnë këtë sfidë pa golashënuesin e tyre kryesor, i cili mungoi edhe në stërvitjen e së hënës. Gyokeres është përshtatur shpejt me jetën te skuadra londineze, duke realizuar gjashtë gola në 14 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon. Megjithëse ende nuk ka shënuar kundër ndonjë skuadre të pjesës së sipërme të tabelës në Ligën Premier, tifozët e Arsenalit janë impresionuar me kontributin e tij si në fazën ofensive, ashtu edhe në atë defensive, ndërsa ai vazhdon të adaptohet me ritmin e futbollit anglez. Pavarësisht formës së mirë dhe rolit të tij të qëndrueshëm në formacionin titullar, ish-sulmuesi i Sporting Lisbonës pritet të mungojë për një periudhë pas zëvendësimit në pushimin e pjesës së parë gjatë fitores 2-0 ndaj Burnley. Mikel Arteta/ Viktor Gyokeres Kjo do të thotë se ai do të humbasë edhe përballjen e radhës në Ligën e Kampionëve, ndërsa Arsenali synon të ruajë ecurinë perfekte në grup gjatë vizitës në Pragë. Në konferencën për shtyp para udhëtimit në Republikën Çeke, Arteta pranoi hapur shqetësimin e tij për gjendjen e 27-vjeçarit. “Jam i shqetësuar, sepse ai zakonisht nuk ka pasur probleme muskulore, por këtë herë u detyrua të largohej nga fusha duke ndjerë shqetësim. Kjo është diçka që na bën të mendojmë, sidomos për një lojtar me profil aq eksploziv”. Arsenali ndodhet sërish në një situatë të vështirë sa i përket repartit ofensiv, pasi përveç Gyokeres, Gabriel Jesus dhe Kai Havertz gjithashtu mungojnë, duke lënë skuadrën pa një sulmues të mirëfilltë në dispozicion./ Telegrafi /