Raporti i Progresit: Papunësi e lartë, boshllëqe gjinore dhe rritje çmimesh në Kosovë

Bashkimi Evropian ka publikuar Raportin për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, ku theksohen sfidat e vazhdueshme në tregun e punës, rritja e çmimeve dhe vonesat në publikimin e të dhënave zyrtare. Në raport thuhet se tregu i punës në Kosovë “karakterizohet nga pjesëmarrje ende shumë e ulët, papunësi e lartë dhe boshllëqe të mëdha gjinore”. Sipas rapotit, rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore publikohen me vonesë, me të dhënat më të fundit që i referohen vitit 2024. “Ndërkohë, shkalla e papunësisë ra me 0.1 pikë përqindjeje në 10.8%, pavarësisht rritjes së shkallës së pjesëmarrjes në fuqinë punëtore në 43.3% nga 40.7% në vitin 2023. Hendeku midis shkallës së punësimit të meshkujve dhe femrave (55.9% dhe 21.2%) u zgjerua. Në vitin 2024, pjesa e të rinjve (15-24 vjeç) që nuk janë në punësim, arsim ose trajnim ra në 31.4%, nga 33.4% një vit më parë”, thuhet në raport. Sipas BE-së, këto rezultate të dobëta në tregun e punës po kontribuojnë në normat e larta të emigrimit. Raporti gjithashtu thekson se inflacioni i çmimeve të konsumit është rritur ndjeshëm në vitin 2025. “Inflacioni u rrit në një mesatare prej 2.8% në vit në gjysmën e parë të vitit 2025 dhe më tej në 4.3% dhe 4.5% në korrik dhe gusht, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë elektrike, ushqimit dhe pijeve joalkoolike”, theksohet në dokument. BE kujton se më 16 prill, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë kishte miratuar një rritje lineare të tarifës së energjisë elektrike prej 16.1% për të gjitha kategoritë e konsumatorëve, e cila hyri në fuqi më 1 maj. Në anën tjetër, raporti e vlerëson pozitivisht nivelin e borxhit publik të Kosovës, i cili mbetet ndër më të ulëtit në rajon. “Në sajë të një suficiti primar margjinal dhe rritjes së lartë nominale të PBB-së, raporti i borxhit publik ndaj PBB-së ra në 16.9% në fund të vitit 2024 – niveli më i ulët që nga viti 2017 – dhe më tej në 16% në fund të qershorit 2025”, thuhet në raport. Megjithatë, borxhi i jashtëm u rrit me 12% në vitin 2024, për shkak të kredive nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe Banka Evropiane e Investimeve. Raporti vëren se “bllokimi politik ka penguar ratifikimin e marrëveshjeve të reja të financimit të jashtëm me institucionet financiare ndërkombëtare”. Në maj 2025, Fitch Ratings riafirmoi vlerësimin e saj sovran për Kosovën në nivelin ‘BB-’ me perspektivë të qëndrueshme, duke përmirësuar mundësitë e aksesit të vendit në tregjet ndërkombëtare financiare.