PDK: Mandatimi i ri i LVV-së, përpjekje e kotë dhe zvarritje që e thellon më tej krizën politike

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është takuar me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për t’ia përsëritur qëndrimin e qartë të këtij subjekti lidhur me situatën politike në vend. Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, ka deklaruar se në Kuvendin e Kosovës nuk ekziston shumicë për formimin e një qeverie të re nga kjo legjislaturë. “Po, sot pasdite, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është takuar me Presidenten Osmani, për t’ia përsëritur qëndrimin e qartë dhe parimor të PDK-së, tashmë të bërë publik edhe përmes komunikatës zyrtare, se në Kuvendin e Kosovës nuk ekziston shumicë për formimin e një qeverie të re nga kjo legjislaturë. Në këtë rrethanë, çdo mandatim i radhës për këdo nga Lëvizja Vetëvendosje do të ishte vetëm një përpjekje e kotë për të fituar kohë, një zvarritje e panevojshme që vetëm se do ta thellonte krizën politike, pasigurinë institucionale dhe humbjen e besimit të qytetarëve në institucione”, ka deklaruar Abdullahu. Sipas PDK-së, vendi ka nevojë për zgjidhje të qartë politike që rikthen stabilitetin dhe besimin në institucione, e jo për shtyrje të krizës aktuale.