Një vajzë e mitur nga Prizreni raportohet të jetë zhdukur që nga data 31 tetor. Bëhet fjalë për 15-vjeçaren Suela Krasniqi, nga lagjja Jeta e Re, e cila sipas familjarëve kishte dalë nga shtëpia për t’u takuar me shoqet dhe nuk është kthyer më. Sipas përshkrimit të dhënë nga familja, vajza është rreth 1.65 metra e gjatë, peshon afërsisht 45 kilogramë dhe ka flokë e sy të zinj. Rasti është raportuar në Polici më 1 nëntor, rreth orës 02:00 të mëngjesit, ndërsa menjëherë pas raportimit, organet e rendit kanë aktivizuar njësitë e kërkimit dhe patrullat në terren. “Rasti i fundit ‘Person i zhdukur’ është raportuar më datë 01.11.2025. Sipas raportimit të familjarëve, vajza e tyre 15-vjeçare është larguar nga shtëpia në mbrëmjen e datës 31.10.2025. Policia, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim që personi i zhdukur të lokalizohet dhe të gjendet sa më shpejt”, ka deklaruar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi. Policia i kanë bërë thirrje qytetarëve që nëse kanë ndonjë informacion për vendndodhjen e vajzës, të njoftojnë menjëherë Policinë e Kosovës.