Dimal Basha kërkon miratimin urgjent të Buxhetit 2026 pas takimit me përfaqësuesit e FMN-së

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, ka pritur në takim shefin e Misionit për Kosovën nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), David Amaglobeli, i cili ishte i shoqëruar nga ekipi i tij. Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet ekonomike dhe fiskale në vend, ku u vlerësua se Kosova po shënon një prej rritjeve më të larta dhe më të qëndrueshme ekonomike në rajon gjatë viteve të fundit. Po ashtu, u theksua se Kosova mbetet vendi me nivelin më të ulët të borxhit publik në rajon, çka sipas vlerësimit të përbashkët reflekton menaxhim të kujdesshëm financiar dhe politika të përgjegjshme makroekonomike. Kryetari Basha ka theksuar rëndësinë e miratimit sa më të shpejtë të Projektligjit për Buxhetin e vitit 2026, me qëllim të garantimit të pagesave publike dhe funksionimit normal të institucioneve shtetërore. “U bëj thirrje të gjitha subjekteve politike, pa dallim, që të tregojmë përgjegjësi institucionale dhe t’i themelojmë sa më parë trupat parlamentare, për të proceduar me miratimin e Buxhetit. Duhet të dëshmojmë stabilitet institucional dhe seriozitet politik në funksion të interesit qytetar dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit”, ka deklaruar Basha. Takimi u vlerësua si konstruktiv dhe në funksion të bashkëpunimit të mëtejshëm mes institucioneve të Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.