Pas dështimit të votimit për Qeverinë në Kuvendin e Kosovës më 26 tetor, procesi ka hyrë në ditët e fundit të fazës së dytë të përcaktuar në nenin 95.4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në këtë fazë, Presidentja e vendit ka obligim që brenda afatit dhjetëditor – pra deri nesër – të zhvillojë konsultime me të gjitha partitë parlamentare, me qëllim të vlerësimit të gjasës reale për formimin e një shumice të re qeverisëse dhe shmangies së zgjedhjeve të reja. Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kërkuar që ky proces të zhvillohet me transparencë të plotë dhe kritere të qarta për vlerësimin e mundësisë së krijimit të shumicës parlamentare. “Për të siguruar integritet dhe besueshmëri të këtij procesi, është thelbësore që të gjitha hapat e Presidentes të jenë transparentë dhe arsyeshëm, duke përfshirë publikimin paraprak të kritereve mbizotëruese që do të udhëheqin vlerësimin e ‘gjasës më të madhe për formim të shumicës’, si dhe sqarimin e formës përmes së cilës do të kërkohet dhe verifikohet mbështetja në Kuvend”, thuhet në reagimin e KDI-së. Sipas këtij institucioni, këto kritere janë “garanci substanciale të paanshmërisë dhe respektimit të rendit kushtetues”. “Prandaj, transparenca lidhur me të njëjtat është e rëndësisë parësore për të ruajtur besimin publik në funksionimin demokratik dhe kushtetues të institucioneve”, thekson KDI.