Totaj mirëpret deputetin Veton Berisha në Prizren për bashkëpunim në projekte zhvillimore

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka zhvilluar një takim miqësor me deputetin dhe kryetarin e Partisë Liberale Egjiptiane të Kosovës, Veton Berisha. Takimi u zhvillua në një atmosferë bashkëpunuese dhe u fokusua në mundësitë për angazhim të përbashkët në projekte që synojnë zhvillimin e komunës dhe përmirësimin e mirëqenies së komuniteteve. “Patëm një bisedë shumë të këndshme me deputetin Veton Berisha, ku diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit dhe angazhimet e përbashkëta që na presin në të ardhmen,” tha Kryetari Totaj. Ai theksoi se Komuna e Prizrenit është e hapur për bashkëpunim me të gjitha subjektet politike dhe përfaqësuesit e komuniteteve, me qëllim ndërtimin e një qyteti gjithëpërfshirës dhe të barabartë për të gjithë. “Prizreni është qytet i diversitetit, dhe ne do të vazhdojmë të punojmë që çdo komunitet të ndihet i përfaqësuar dhe i respektuar,” shtoi Totaj. Në përfundim të takimit, të dy palët u shprehën të gatshëm për të konkretizuar idetë e diskutuara në projekte që sjellin përfitime të ndërsjella për qytetarët e Prizrenit.