Kosova bëhet pjesë e NDC Partnership, një arritje diplomatike dhe mjedisore

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka përshëndetur pranimin e Kosovës në NDC Partnership, një koalicion global që bashkon mbi 140 shtete dhe 110 institucione ndërkombëtare. Ky është një hap i rëndësishëm për Kosovën në fushën diplomatike dhe mjedisore. Pas një pune të gjatë dhe me mbështetjen e UNDP-së dhe Qeverisë Gjermane, Kosova është pranuar në këtë mekanizëm që bashkëpunon për zbatimin e Kontributit të Përcaktuar Kombëtar (NDC), të miratuar nga vendi në mars të këtij viti. Ky është mekanizmi i parë shumëpalësh i ndërlidhur me Marrëveshjen e Parisit që e njeh Kosovën si shtet. Pjesëmarrja në NDC Partnership do t’i mundësojë Kosovës qasje në mbështetje teknike, financiare dhe politike për projekte konkrete në përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, energji, bujqësi dhe transport. Zëvendësministri Durmishi ka theksuar se kjo nismë do të forcojë kapacitetet e vendit për të përballuar sfidat klimatike dhe për të integruar politikat mjedisore me standardet ndërkombëtare.