Kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i është propozuar një takim me Presidenten Vjosa Osmani, por ai nuk ka mundur ta zhvillojë pasi ka qenë në terren për fushatën e balotazhit. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i partisë, Kushtrim Xhemajli për Telegrafin. “Ka pasur propozim për takim, por kryetari Haradinaj gjatë ditës ka aktivitete në terren në kuadër të fushatës për balotazh,” ka thënë Xhemajli. Sot, Presidentja Osmani ka takuar kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ndërkohë, Vetëvendosje ka mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ku ka votuar për propozimin e Glauk Konjufcës si mandatar të dytë për formimin e qeverisë. Osmani ka kohë deri nesër për të vendosur nëse do ta mandatojë edhe një emër tjetër ose do ta çojë vendin në zgjedhje të reja. Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar nënkryetarin e kësaj partie, Glauk Konjufca për mandatar për kryeministër të Kosovës. LVV-ja tha se pret "reflektimin" e partive të tjera shqiptare sa i përket formimit të Qeverisë së re të Kosovës, por ato insistuan në mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare. Në fjalën në Këshillin e Përgjithshëm, Konjufca tha se mosmandatimi i Kurtit për kryeministër është “kompromisi i madh” i LVV-së. “Më shumë se kaq nuk ka mundësi, sepse po e prezantojmë një Qeveri ku kryeministër nuk është Kurti dhe ky është kompromis i madh. Tash e ka radhën opozita për kompromisin e vet”, tha Konjufca. Ai argumentoi se partitë e tjera shqiptare u bënë bashkë që t’ia pamundësojnë Kurtit formimin e ekzekutivit të tretë. “Populli shumë shpejt pret të rikthehesh më fuqishëm se në vitin 2021”, iu drejtua Konjufca Kurtit, duke iu referuar zgjedhjeve kur LVV-ja mori mbi 50 për qind të votave.