Trump befason në New York - nuk e mbështet bashëpartiakun, por kandidatin e pavarur për kryetar të qytetit

Në Shtetet e Bashkuara sot zhvillohen një numër i madh zgjedhjesh në nivele të ndryshme, por vëmendja kryesore është përqendruar tek gara për kryetar bashkie në New York, si dhe tek zgjedhjet për guvernator në shtetet federale të New Jersey dhe Virginia. Në New York, qytetarët do të zgjedhin një kryetar të ri bashkie, pasi kryebashkiaku aktual, Eric Adams, ka vendosur të mos kandidojë për një mandat të dytë. Në krye të garës ndodhet kandidati demokrat Zohran Mamdani, ndërsa kundërshtarët e tij janë Andrew Cuomo – ish-guvernator i shtetit të New Yorkut që po garon si kandidat i pavarur – dhe republikani Curtis Sliwa, raporton bbc. Një zhvillim i papritur ka qenë qëndrimi i Donald Trump-it, i cili ka vendosur të mos mbështesë kandidatin e partisë së tij, por në vend të kësaj ka shprehur publikisht mbështetjen për Andrew Cuomo-n. Ai u ka bërë thirrje votuesve të mos votojnë për kandidatin e krahut të majtë, Zohran Mamdani. “Pavarësisht nëse e pëlqeni apo jo Andrew Cuomo-n, nuk keni zgjidhje tjetër. Duhet të votoni për të dhe të shpresoni që ai të bëjë një punë të shkëlqyer”, deklaroi Trump. Testi i parë për politikën e Trumpit - sot mbahen zgjedhjet lokale në të gjithë SHBA-në Më herët, presidenti kishte paralajmëruar se do të kufizonte në minimum ndihmën federale për New York-un nëse Mamdani do të fitonte zgjedhjet. Përveç këtyre garave kryesore, sot do të mbahen edhe disa zgjedhje të tjera lokale për kryetarë bashkish, si dhe një zgjedhje plotësuese për një vend në Dhomën e Përfaqësuesve në shtetin e Teksasit – e cila pritet të jetë një fitore e sigurt për demokratët. /Telegrafi/